Kampionati i femrave është futur tashmë në zonën e nxehtë, teksa kanë mbetur vetëm tre javë nga fundi i këtij edicioni. Të gjitha ndeshjet e javës së 19-të do të luhen këtë të shtunë.

Kështu, Vllaznia vijon të mbetet në vendin e parë, teksa në këtë edicion nuk ka pësuar asnjë humbje. Në sfidën që do të zhvillohet nesër në Shkodër në ora 15:00, kampionet në fuqi do të përballen me skuadrën e Teutës.

Vajzat shkodrane renditen në vendin e parë me 43 pikë, ndërkohë që vajzat durrsake renditen në vendin e shtatë me 18 pikë në tabelën e klasifikimit.

Ndërkohë, sfida tjetër e njërit prej ekipeve shkodrane në kampionatin e femrave, do të jetë Partizani-Murlani, një ndeshje e fortë në letër për të dyja ekipet. Kjo sfidë do të luhet në ora 10:00 në Kamëz.

Vajzat e Murlanit renditen në vendin e pestë me 31 pikë në tabelën e klasifikimit, ndërsa vajzat kryeqytetase renditen në katërt me 33 pikë, një përballje direkte kjo ndërmjet këtyre dy ekipeve.

Ndeshja tjetër e javës do të jetë ajo mes Lushnja-Atletik Club. Shkodranet e Atletik Club do të kërkojnë të marrin një fitore, për të kërkuar më pas një vend më lart në renditje.

Vajzat e Atletik renditen në vendin e tetë me 16 pikë, ndërsa Lushnja renditet në vendin e fundit me vetëm 3 pikë. Të gjitha këto ndeshje të javës së 19-të do të luhen ditën e nesërme.
Maringlen ZHIVANI