Nesër në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi” luhet ndeshja e raundit të 30-të të kampionatit të Abissnet Superiore, në mes Vllaznisë dhe Partizanit. Këto dy skuadra patën luajtur edhe në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë, në këtë impiant sportiv.

Në prag të kësaj ndeshje ditën e djeshme, klubi Vllaznia ka publikuar çmimet e biletave për këtë ndeshje. Kështu, një biletë në tribunën VIP kushton 15 mijë lekë të vjetra, A dhe B kushton 10 mijë lekë të vjetra, ndërkohë në tribunën D2 dhe D3 do jetë 2 mijë lekë të vjetra. Një biletë në tribunën C, do të kushtojë 1 mijë lekë të vjetra.

Siç shikohet çmimet janë të lira dhe tashmë mbetet për t’u parë, nëse tifozët shkodranë do kenë interes për ta ndjekur këtë takim nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” apo jo.

Kështu ka vendosur presidenca kuqeblu, me në krye presidentin Alban Xhaferi, duke ftuar në masë tifozërinë shkodrane për të mbështetur skuadrën në një sfidë të tillë, e cila është po aq e rëndësishme, sa edhe ajo e luajtur javën e kaluar për Kupën e Shqipërisë.

Një fitore ndaj të kuqve do të bënte rrokadën në renditje me Partizanin, i cili aktualisht është një pikë më shumë, se sa kuqeblutë në tabelën e klasifikimit.

Një fitore e mundshme nesër ndaj Partizanit, hap seriozisht rrugën, jo vetëm për vendin e katërt, por edhe për të tretin, duke bërë që Europa të sigurohej sa më shpejt nga kampionati, pa pritur finalen e 31-majit për trofeun e Kupës me Laçin.

Vllaznia ka kërkuar të ketë pranë tifozët e saj, megjithatë ata janë ende të zhgënjyer nga sezoni aktual dhe duhet thënë se gjatë këtij sezoni, nuk kanë qenë të shumtë në mbështetje të saj.
Maringlen ZHIVANI

https://www.facebook.com/photo?fbid=390543526413665&set=pcb.390543813080303