Java e 31-të e kampionati shqiptar do e gjejë Vllazninë në përballjen me Skënderbeu . Korçarët tashmë thuajse të rrëzuar nga Superliga, kanë shpresën e fundit në Shkodër për mbijetesën. Por nga ana e tyre edhe kuqeblutë duan fitoren në kampionat. Sukses që mungon prej thuajse një faze, ku numërohen 7 javë rradhazi që shkodranët nuk marrin pikët e plota.

E pikërisht Skënderbeu duket si kundërshtari më i lehtë i mundshëm për tu rikthyer tek 3 pikët. Por asnjëherë duke nënvlerësuar korçarët që gjatë kampionatit kanë treguar se dinë të marrin pikë e të luajnë futboll, pavarësisht problemeve që kanë pasur. Por motivimi për Vllazninë është akoma më i madh duke parë edhe kalendarin e vështirë që kanë rivalët.

Kështu Laçi i vendit të dytë me 51 pikë do ketë përballë Tiranën, ku kryeqytetasit duan të mbyllin hesapet me kampionatin. Dhe një fitore kundër bardhezinjëve do i shpallte ata kampion automatikisht. Kukësi që ndodhet në vendin e tretë me 46 pikë, 4 më shumë se Vllaznia do ketë një transfertë të vështirë. Ekipi i Longos udhëton drejt Durrësit këtë fundjavë.

Përballë për ta do jetë Teuta, që është e etur për pikë, pasi nga pas ndjen “frymëmarrjen” e Egnatias, ku durrsakët mund të rrezikojnë për një vend në Play Off. Disi më të lehtë e ka Partizani, që në renditje qëndron 1 pikë para Vllaznisë. Të kuqtë luajnë derbin me Dinamon, që thuajse është në të njëjtën situatë me Skënderbeun. Edhe për blutë kjo do jetë ndeshja e fundit për të shpresuar për qëndrimin në Superligë.

Kjo mund të jetë një javë ku Vllaznia mund të përfitojë. Duke parë kalendarin e vështirë që kanë rivalët dhe ndeshjen brenda në Shkodër kundër Skënderbeut duket si raundi i duhur për tu afruar me vendin e tretë, gjithmonë duke mos nënvlerësuar përballjen me korçarët ditën e shtunë në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI