“Nuk është koha për festa, mendojmë vetëm për fitore!” Postimi i Laçit në prag të ndeshjes me Tiranën është i qartë. Kurbinasit për t’ju prishur festën bardhebluve.

Tirana, të cilës i mjafton një barazim për të siguruar matematikisht titullin, është e paralajmëruar. Sfidë mes dy vendeve të para të klasifikimit, dhe dy skuadrave më të mira të këtij kampionati.

Tirana shkon në Laç pas disfatës me Kastriotin, dhe i duhet të ringrihet përballë bardhezinjve të Shpëtim Duros, që përveçse kërkojnë të blindojnë vendin e dytë, luajnë edhe për prestigj përballë tifozerisë së tyre, një sfidë rivaliteti të ndier.

Jo rastësisht klubi ka vendosur që hyrja në stadium të jetë falas, kërkon mbështetjen e fansave kurbinas, ndoshta edhe për një revansh për atë disfatë që pësoi në “Air Albania”, që rezultoi trampolina vendimtare për Tiranën drejt titullit duke i prerë për më shumë se një fazë gjunjët Laçit.

Tanimë në drejtimin e Duros skuadra ka rigjetur buzëqeshjen me kualifikimin në finalen e Kupës dhe rikthimin te fitorja në kampionat. Tekniku beson se skuadra që ka në dispozicion nuk është aspak inferiore ndaj Tiranës dhe ky është një rast për ta provuar.