Në sportin e basketbollit në Shkodër ka me dhjetëra emra të shquar të cilët kanë kontribuar për Vllazninë dhe për këtë qytet. Ka patur edhe prej atyre që kanë dhënë një kontribut të madh edhe si sportist, por edhe si trajner. Pas Esat Haxhit, një tjetër emër i shquar do të ishte Petrit Osmani.

Dita e sotme në fakt është e veçantë për të sepse feston 80 vjetorin e lindjes. Petrit Osmani ka lindur në Shkodër mër 3 maj 1942 dhe jetën e tij do ia kushtonte sportit ku arriti të lërë gjurmë, fillimisht si lojtar e më pas si trajner.

Me një karrierë të suksesshme si sportist teksa shpallet kampion me Vllazninë në sezonin 1966-67 dhe po ashtu fiton edhe tre Kupa Republike në vitet 1966, 1967 dhe 1968, ai do të niste karrierën si trajner.

Në të cilën madje do të jetë edhe më i suksesshëm. Me ekipin e parë starton punë në gjysmën e dytë të viteve ’80 dhe punon me të për 20 vjet me rradhë. Gjatë kësaj periudhe ka fituar 5 tituj kampion përkatësisht në sezonet 1989-90, 1992-93, 1996-97, 1997-98 dhe 1999-2000. Po ashtu edhe 4 kupa të Shqipërisë në vitet 1985, 1994, 1996 dhe 1997.

Për të gjitha këto arritje, duke qenë edhe trajneri më i suksesshëm, klubi Vllaznia me rastin e 100 vjetorit të krijimit të tij e vlerësoi si “Trajneri i Shekullit” në basketboll.

Po ashtu, Petrit Osmani është nderuar me tituj të lartë edhe nga Bashkia Shkodër, nga Federata përkatëse që i ka akorduar titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ndërkohë që në vitin 2011, ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi i dha edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij në basketboll edhe si sportist por edhe si trajner.

Petrit Osmani prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por ne në Shkodër na ka lënë emrin dhe veprat e tij. Me të cilat padyshim që krenohemi.
Gjergj KOLA