Nga prof.dr. XHEVDET ZEKAJ

T’i dënojmë apo jo trukimet? Të fillojmë nga ndëshkimet për ata që e bëjnë baltë me paracaktime rezultatesh apo jo? Deri tani, FSHF akuzohej se nuk merr masa ndaj këtij fenomeni, nuk ndëshkon klubet që përfshihen në trukime, tani që bën shembull tri klube, i thuhet pse merret me inferiorët.

Një trukim skandaloz, edhe pse në Kategorinë e Dytë, 15 gola shënon Luzi. Cfarë të bënte federata, të mbyllte sytë? Ngaqë nuk ka vepruar më përpara, s’duhet të dënojë as tani? Drejtësia bëhet me fakte, jo me llafe. Kësaj here, faktet bënin “muuu” në sytë e të gjithëve.

Ne jemi për veprime ligjore. Federata ka filluar të lëvizë, të ndryshojë. Në vend që të mbështesim luftën ndaj trukimeve, kudo që ato të shfaqen, në vend që të themi bravo FSHF që nuk toleron, nxjerrim bishta si gazetarë. Na vjen të kujtojmë këtu atë barcaletën e famshme. U mblodhën kafshët e pyllit dhe organizuan një festë të madhe.

Protokollin e kishte bërë sorkadhja. Kur erdhi derri në festë, e dërgoi te vendi i tij i rezervuar. Joooo, thoshte derri dhe shkonte te plehrat. Sorkadhja i thoshte se ke këtu të hash sa të duash. Jooo, dua atje, këmbëngulte derri, jam mësuar te plehrat. Edhe gazetarët që nuk iu gjendet dermani, simdomos ata të fletushkave, kështu veprojnë. Shohin kudo skandale, shkojnë vetëm mbas… plehrave.

Ne jemi të lumtur që po luftohen trukimet, kësaj gjëje i duhet shkuar deri në fund. Ndryshe, më pak tifozë do të kemi në stadiume, produkti do të jetë më pak i besueshëm, nuk do të promovohet më i miri sportivisht. Ishalla gjejnë derman edhe ata që ditën kur Duka dorëzonte trofeun e Champions-it në duart e Barcelonës (për femra), bënin bla-bla-bla; pse dënohet të vegjlit dhe nuk preken të mëdhenjtë.

Sigurisht, nuk duhet toleruar askush, kur ka prova si 15-golëshi i cituar më sipër. Me fjalë dhe dyshime nuk mund të penalizohet askush, sepse nuk jemi më në kohën e komunizmit, kur ta bënin gjyqin popullor, pa asnjë fakt.