irana është në një situatë delikate në fund të kampionatit, me pesë titullarë që mund të largohen nga skuadra pa luajtur në Europë. Për vendime të tyre apo për arsye të tjera, Shehi duhet të ndërtojë një skuadër tjetër, pa Najdovskin, Hoxhallarin, Toshevskin, Tolin dhe Xhixhën.

Të gjithë këta lojtarë mund të largohen në fund të sezonit. Treshja Toli-Najdovski-Toshevski nuk ka kontratë dhe mund të largohet, ndonëse nga klubi janë të bindur se mund të ketë rinovime deri në fund të sezonit. Bisedimet kanë ecur, por nuk dihet se cili është vendimi përfundimtar. Nga ana tjetër, Erjon Hoxhallari e ka mbyllur me Tiranën.

Në të ardhmen aventura e tij mund të vazhdojë në Rumani, me UTA Urad. Redon Xhixha flitet gjithmonë e më shumë larg Tiranës, me oferta shumë të mira. Filip Najdovski, Kristijan Toshevski dhe Ardit Toli me shumë mundësi nuk kanë pranuar të rinovojnë.

Me këtë ritëm bardheblutë duhet të bëjnë skuadrën nga e para për në Europë, sepse nuk do të kenë pesë titullarë. Këtu nuk llogariten ofertat e Seferit, Bekajt apo ndonjë lojtari tjetër si Totre, të cilat mund të vijnë nga momenti në moment.

KONFIRMIMI

Erjon Hoxhallari ka konfirmuar për “Panorama Sport” se për kapitenin e Tiranës këto janë tri ndeshjet e fundit që do të luajë me bardheblutë, sepse do të nisë një aventurë jashtë Shqipërisë.

“Skuadra ka notën maksimale në këtë kampionat. Ka dominuar që nga fillimi i sezonit. Kemi 27 javë në krye të renditjes. Meritë të madhe ka pasur trajneri dhe drejtori Osmani dhe tifozët që na kanë mbështetur. Çdo skuadër e kemi dominuar në çdo takim. Kjo u kuptua që në fund të fazës së parë.

E ardhmja e Hoxhallarit? Tani dihet. Ky ishte derbi i fundit. T’i mbyll edhe këto tri ndeshje dhe më duhet të largohem jashtë Shqipërisë”, mbylli Hoxhallari.

RIPARIMET

Klubi është duke menduar të afrojë disa lojtarë këtë verë. Kështu, po shihet mundësia që në skuadër të bashkohet një mesfushor, i cili të luajë topin, dhe që pritet të vijë nga kampionati shqiptar, prej një prej skuadrave të Superiores.

Gjithashtu, mendohet për dy sulmues, njëri anësor dhe tjetri qendror. Gjithsesi, nëse lojtarët largohen, atëherë Osmani dhe drejtuesit e tjerë duhet të rindërtojnë skuadrën nga e para. Emrat deri tani kanë qenë të shumtë për t’u afruar te bardheblutë, por ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare për të marrë sportistë të rinj në ekip.