Alban Xhaferi është parë shumë i emocionuar në fundin e ndeshjes së djeshme, teksa nuk ngurroi të ngrinte peshë për disa sekonda heroin e fitores ndaj Kukësit, Mehdi Çoba.

Në prononcimin për mediat, presidenti i Vllaznisë u zhgënjye kur u pyet për zërat që qarkullojnë së fundmi për probleme financiare në klubin shkodran. Xhaferi beson se Europa do të arrihet përmes kampionatit, në një kohë që pranoi gabimet e bëra gjatë sezonit. Ai është optimist se do të mundin edhe Tiranën.


Alban, një fitore dramatike ndaj Kukësit…

Nga mënyra se si shkoi ndeshja, m’u kujtuan emocionet e sezonit të kaluar, kur fitonim shpesh në momentet e fundit. Jam shumë i lumtur për këtë fitore dhe për më tepër se si erdhi ajo. Çoba u tregua shumë i qetë dhe profesionist në ato momente. Ai bëri detyrën më së miri. Gaboi Zogoviç, por unë e përkraha dhe inkurajova. Ekipi ia shpërbleu atij.

Europa është më pranë tani, besoni se do ta arrini përmes kampionatit?

Ne nuk jemi në ata objektiva që kishim vendosur në fillim. Megjithatë, jemi duke motivuar lojtarët që të arrijmë Europën përmes kampionatit. Kemi pasur edhe ne momentet e dobëta, por shpresoj që tani të motivohemi për takimet e mbetura dhe të arrijmë qëllimin. Këta janë djem që me mish e me shpirt po kërkojnë që të bëjnë më të mirën. Kemi pasur luhatjet tona, duke gabuar, por do t’i korrigjojmë tani në fund.


Po flitet për paga të padhëna ndaj ekipit. Si është e vërteta?

Çështja e pagave të lojtarëve është një problem që diskutohet vetëm në Shkodër. Nuk ka asnjë problem për pagat, por unë kam vendosur që të mos përgjigjem për këtë gjë, derisa kontratat i kam vetëm me lojtarët dhe gjithçka është individuale.

Problematikat kanë qenë të shumta, duke filluar nga performanca e disa lojtarëve dhe gjykimet.Ne do t’i lëmë pas dhe të besojmë që në verë Vllaznia do të jetë në Ligën e Konferencës, që edhe aty të bëjmë më të mirën e mundshme.


Doni të thoni që te Vllaznia nuk ka probleme financiare?

E thashë edhe një herë, çështja e pagave është individuale me lojtarët. Më vjen keq që një pyetje e tillë më bëhet vetëm mua dhe nuk kam dëgjuar që të flitet me presidentë të ekipeve të tjera. Kontratat me lojtarët i kam individuale.


Të shtunën luani ndaj Tiranës kampione. Çfarë prisni nga ky takim?

Së pari, dua që publikisht t’i uroj Tiranës titullin kampion, pasi e arritën me shumë meritë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Vllaznia do të ketë një motivim shumë të madh për të arritur fitoren në këtë takim.


Ju vjen keq që kaloi edhe një sezon pa titull te Vllaznia?

Është një keqardhje për të gjithë që nuk arritëm të sillnim trofeun e kampionatit në Shkodër, përtej objektivave madhorë që kishim. Ekipi kishte më shumë buxhet se sezoni i shkuar, por tani duhet të shikojmë të arrijmë synimet që kemi në kampionat dhe Kupë.

Besoni sërish te fitimi i Kupës?

Po, sigurisht. Kupa është tani objektivi ynë kryesor.