Të zbulohej një Dus han Vlahoviç kaq delikat ishte një surprizë e madhe, duke parë atë se çfarë ai bëri këtë fazë të parë te Fiorentina me 17 gola në 21 paraqitje, apo akoma më shumë debutimin e tij bombastik me Veronën. Dhe papritur, nga muaji shkurt e në vazhdim numrat e bomberit serb kanë ardhur gjithmonë e në rënie, ndonëse ky faktor nuk varet aspak nga minutazhi.

Përkundrazi, nëse qëndrojmë te minutazhi, sulmuesi i Juventusit është i dyti vetëm ndaj Zhoao Pedros së Kaljarit, me mbi 1000 të tillë të luajtur. Ndaj, me të drejtë pyetja që ngrihet është: Çfarë po i ndodh investimit prej 80 milionë eurosh të bërë nga bardhezinjtë në janar?

RËNIA NË NUMRA Ajo që duket qartë është se ai po nis të vuajë ndoshta stilin e lojës që kërkon Masimiliano Alegri. Ato që janë rritur pas mbërritjes në Torino janë vetëm prekjet e topit në zonë, nga 6 te Fiorentina në 6.3 në muajin shkurt te Juventusi dhe 6.7 në periudhën marsmaj.

Por për një sulmues ai që mban moralin lart është goli, ku mesatarja është thjesht pikiatë: nga 0.8 gola për ndeshje në Firence, në 0.57 te Juventusi, madje nga marsi në maj numri është edhe frikshëm më i ulët, 0.3 gola çdo 90 minuta.

Edhe goditjet drejt portës rivale janë vërtet të errëta. Nëse te Fiorentina fazën e parë kishte një mesatare prej 1.6 goditjesh, te Juvja shkëlqeu vetëm në periudhën shkurt-mars (2.5 për ndeshje), por nga prilli e deri më sot mesatarja është 0.9 gjuajtje për ndeshje në kuadrat. E përkthyer ndryshe, ka pasur edhe ndeshje në të cilat as që e ka tentuar ta provojë të rrezikojë kundërshtarin.

I QESHUR, POR NERVOZ Nga shumë video që kanë qarkulluar në javët e fundit nga seancat stërvitore të Juventusit, Dushan Vlahoviç është shumë i qeshur përpara kamerave, madje nuk nguron që të bëjë edhe shakara me shokët e skuadrës, ku disa prej të cilëve ndoshta mund të kenë nisur të jenë disi xhelozë për të.

Po, pasi trajtimi që Alegri ka ndaj serbit është kapur edhe nga kamerat, si sfida që ai i kërkoi një kundër një sulmuesit të tij, përpara ndeshjes me Venecian, në të cilën jo vetëm që nuk mungoi ilariteti mes tyre, por ajo video riktheu në kujtesë edhe marrëdhënien perfekte mes “Kontit Maks” dhe atij Pol Pogbasë që ëndërron ta rikthejë në Torino, kur sfidoheshin në basketboll me njëri-tjetrin, përpara syve të Dibalës.

Por ekziston edhe një anë tjetër, ajo kur Dushan tregon hapur zymtësinë e tij totale ndaj Xhenoas kur Alegri e thirri në stol, me Vlahoviçin që ishte thuajse i përlotur dhe mjaft nervoz për momentin e vështirë që po kalon.

Prandaj, sot në mbrëmje, me rastin e finales së Kupës së Italisë kërkohet jo vetëm një reagim që të rizgjojë grintën e gjigantit serb, por pse jo edhe një gol me peshë që të nxjerrë nga ankthi “ushtarin” Vlahoviç, i cili shpreson që të fitojë edhe trofeun e parë me Juven.