Esin Hakaj është konfir muar këtë sezon si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës shkodrane. Mbrojtësi i majtë u rikthye në Shkodër në verën e vitit të kaluar, pas eksperiencave te Partizani dhe Teuta, teksa shumë shpejt me kontributin e tij tregoi se është një pikë e fortë për kuqeblutë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hakaj foli për atë që e pret skuadrën në tri javët e fundit të kampionatit, veçanërisht për ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës.

Esin, një fitore e mundimshme ndaj Kukësit, edhe pse shënuat të parët?

Mund të them se ishte një fitore më shumë se e merituar. Kukësi mund të na merrte një pikë, ashtu si në takimin e fazës së dytë, që barazoi në Shkodër. Pra, kundërshtari me një gjuajtje dhe një gol kërkonte të dilte me pikë. Ishte për të ardhur keq nëse do të mbaronte kjo sfidë barazim. Ishte një ndeshje pozitive për ne.

Zotëruam gjithçka nga fillimi deri në fund. Do të më gëzonte më tepër trepikëshi nëse do të fitonim me më shumë gola diferencë. E them këtë pasi në totalin e ndeshjeve direkte ndaj tyre jemi -1 gol diferencë, por shpresoj që të mos ndikojë në të ardhmen. Megjithatë, rëndësi ka që morëm tri pikë.

Çfarë menduat pasi shënoi Çoba në minutën e 95-të?

Frika ishte te VAR-i dhe ishim në ankth deri në momentin që arbitri dha urdhër për të nisur loja nga qendra. Jo pak herë këtë sezon jemi ndëshkuar nga gjykimet apo nga vendimet e padrejta të arbitrave. Isha i bindur që Çoba ishte në pozicion të rregullt, por derisa të shikoheshin pamjet filmike, po prisnim me ankth.

Edhe tri ndeshje deri në fund të kampionatit. Çfarë prisni?

Tri ndeshje janë si tri finale  për ne. Nuk kemi mbaruar ende punë. Gjithçka është e hapur, pasi nga vendi i tretë mund të shkojmë në të pestin. Me këtë dua të them që vlerësimi duhet të jetë maksimal nga të gjithë.

Do të luani ndaj Tiranës, që është zyrtarizuar tashmë kampione. Si e parashikoni?

Ndaj Tiranës kemi bërë lojëra të bukura. Nuk duhet harruar barazimi në fazën e dytë, ku ajo paraqitje jona ishte më e mira e zhvilluar këtë sezon. Po ashtu, edhe starti i lojës në takimin e fazës së tretë ishte i mrekullueshëm, paçka se në fund humbëm. Duhet të japim maksimumin në këtë takim për të marrë tri pikët.

Unë mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë, edhe pse Tirana zyrtarisht është kampione. Trepikëshi na ofron me objektivin që kemi për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta arritur një gjë të tillë.

Si e shikoni garën për një vend në Europë, pasi në lojë janë Partizani, Kukësi, po edhe Teuta me Kastriotin?

Objektivi ynë është që të kapim Europën përmes kampionatit. Duhet që të mos e lëmë për ndeshjen e Kupës këtë objektiv, por ta sigurojmë nga kampionati dhe të shkojmë të qetë në finale. Prandaj, e ritheksoj që duhet të vlerësojmë çdo ndeshje si finale. Deri te Kupa ka kohë shumë…

Cila do të jetë e ardhmja juaj, do të vazhdoni te Vllaznia?

E kam thënë edhe më parë, nuk e kam mendjen se çfarë do të bëhet në sezonin e ri. Unë jam pjesë e Vllaznisë dhe dua që të luaj në Kupat e Europës me këtë fanellë. Së pari, dua të fitoj Kupën e Shqipërisë me Vllazninë. Këto janë synimet e mia tani, pastaj ka kohë për të tjerat.