Ndriçim Shtubina ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur. Pas plot 16 vitesh karrierë, shkodrani i cili është pjesë e Egnatias në Superiore, do t’i thotë “STOP” lojës së topkëmbës, që e shoqëroi për afro 2 dekada.

Lamtumira e Shtubinës do të jetë tepër speciale, pasi do të vijë nga Shkodra, qyteti i tij i lindjes, ku futbollisti hodhi hapat e para të karrierës.

Duelin e radhës Egnatia e luan pikërisht në transfertë ndaj Vllaznisë, ku me shumë gjasa do të kemi dhe një përshëndetje speciale për 35-vjeçarin, i cili arriti të ndriçonte, jo vetëm Shkodrën, por shumë qytete të Shqipërisë ku ai u aktivizua.

Shtubina do të nisë një epokë të re e cila sërish do të lidhet me botën e futbollit, teksa atij i është ofruar një post drejtuesi në klubin e Egnatias.

Gjatë karrierës së tij, shkodrani është aktivizuar me shumë klube ku veç Vllaznisë ka qenë pjesë edhe e Skënderbeut, Flamurtarit, Kukësit, Laçit dhe së fundmi Egnatias.