Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla ka folur në një intervistë për “Corriere dello Sport” lidhur me finalen e Ligës së Konferencës që do të zhvillohet në Tiranë, ku skuadra e tij Roma do të përballet me holandezët e Fejnordit.

Lojtari kuqezi ka theksuar se finalja ishte objektivi i sezonit për të që në momentin e parë që e mësoi se ajo do të zhvillohej në Shqipëri, ai gjithashtu u shpreh i sigurt se mikpritja e popullit shqiptar do të jetë ekzemplare në këtë event futbollistik.

“ E them seriozisht, nuk më pritet deri sa të vij dita e finales. Që në momentin që mësova se finalja do të luhej në Tiranë ai ishte objektivi im i sezonit për ta arritur. Për mua që kam lindur në Itali nga një familje shqiptare është çështje fati ta luaj këtë finale, për fat ëndrrat realizohen. Do të jetë në ëndrrën tonë ta realizojmë këtë ëndërr duke mundur Fejnordin, por e dimë që nuk do të jetë e lehtë.

Për shqiptarët kjo finale është një mundësi fantastike, e di që do ta shfrytëzojnë dhe do të tregojnë një mikpritje ekzemplare. Me italianët e kanë ndërtuar tashmë një marrëdhënie solide. Në tiranë përveç tifozëve që do të mbështesin Fejnordin do të kemi dhe një pjesë të mirë të publikut shqiptar që do të mbështesin Romën. Ta mendosh që edhe vetë kryeministri jonë e dashuron Murinjon.

Do të doja ta luaja finalen , të paktën edhe qoftë për disa minuta, ai është një vendim që e merr trajneri dhe ne jemi të detyruar ta respektojmë.