Milani është një hap larg titulli falë, mbi të gjitha, kolektivit, por pa dyshim që edhe individualitetet po bëjnë diferencën. Mes tyre sigurisht që janë edhe Teo Hernandez dhe Rafael Leao, të cilët me golat e tyre vendosën ndeshjen e fundit kundër Atalantës.

Me shpejtësinë dhe shkëputjet që e karakterizojnë, krahu i majtë kuqezi është pa dyshim një nga pikat e forta (nëse jo më e rëndësishmja) e ekipit të Stefano Piolit.

KRAHASIMI “La Gazzetta dello Sport” ka nxjerrë në pah performancën e mbrojtësit të krahut dhe të anësorit portugez, duke i krahasuar me zinxhirët e tjerë të majtë të klubeve më të mira europiane. Midis tyre janë, për shembull, Robertson i Liverpulit (2 gola) dhe Mane (15) të cilët kanë shënuar gjithsej 17 gola, një më shumë se Teo dhe Leao (respektivisht 5 dhe 11 gola). Në kampionatin spanjoll, Vinicius dhe Mendi kanë bërë edhe më mirë me fanellën e Realit të Madridit me 19 gola, edhe pse merita i takon kryesisht brazilianit që ka shënuar 17 herë.

GJUETI ËNDRRASH

E përditshmja italiane raporton më pas statistikat e dy çifteve të tjera mëngjarashe nga dy klube të tjera cilësore europiane, përkatësisht PSGja dhe Bajerni i Mynihut. Në formacionin e francezëve, Nuno Mendesh dhe Nejmar kanë 12 gola (të gjithë të shënuar nga sulmuesi brazilian. Ndërsa në skuadrën gjermane Devis dhe Sane kanë kontribuar me 7 gola (të gjitha të realizuar nga gjermani). Për këtë arsye, mund të thuhet se ai kuqezi është çifti që i ka shpërndarë më mirë golat. Por, siç e përsërit shpesh Pioli, puna e tyre, si dhe e shokëve të tjerë, nuk ka përfunduar ende: Në fakt, ekziston një ëndërr për t’u kthyer në realitet.

LEAO&TEO

Në pesë kampionatet madhore të Europës, ai i vetmi lojtar me të paktën pesë gola e po aq asiste në secilin prej dy sezoneve të fundit. Njëkohësisht, Teo Hernandez rikthehet te goli 235 ditë pas herës së fundit kur më 22 shtator 2021 i shënonte Venecias. Edhe një herë ai u shfaq vendimtar në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit për Milanin, teksa shoku i tij është në kuotën e 11 golave, por ende nuk ka mundur të shënojë dopietë.

Rafael Leao ka për Milanin të njejtën rëndësi që ka prapavija e cila është çarë vetëm dy herë në 10 ndeshjet e fundit në kampionat. Shkatërrimtar për shumicën e sezonit, 23-vjeçari po prek kulme që nuk i kishte hasur më parë në karrierë. Nga gushti deri më sot ka zbritur në fushë 41 herë nga 47 të kalendarit duke kontribuar me 14 gola dhe 9 asiste në të gjitha turnetë ku Milani ka marrë pjesë. E thënë ndryshe, në çdo dy ndeshje, Leao ndikon në realizimin e të paktën një goli.