Laçi e mbylli sezonin me një humbje 3-4 [përballë Partizani në shtëpi, megjithatë kurbinasit e kanë siguruar prej javësh vendin e dytë dhe ky rezultat nuk përbën aspak shqetësim për trajnerin Shpëtim Duro, i cili deklaroi se ka bërë rotacion për të çlodhur futbollistët para finales së Kupës së Shqipërisë.

Laçi e mbyll me dy humbje sezonin. Pavarësisht pikëve, çfarë ndikoi në këtë humbje ndaj Partizanit?
Sigurish që janë dy ndeshje shumë të vështira për t’u motivuar, pasi kemi kohë që e kemi arritur objektivin, Kam përdorur shumë rotacion dhe kam ndërruar shumë lojtarë, duke u kushtëzuar edhe nga ndeshja që kemi pas katër ditësh në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Mendoni se këto tre ndeshje ju shërbyen për të shkuar në formën më të mirë në finale përballë Vllaznisë?
Të shikojmë, por ne kemi lënë vazhdimisht pushim disa lojtarë, për t’i mbajtur edhe të karikuar, por edhe për të mos i rënduar. Megjithatë të shikojmë si do të shfaqemi në finale.

Si do ta vlerësonit këtë sezon të Laçit?
Unë nuk kam qenë gjithë sezonin, por e kam thënë që kjo është skuadra ime. Patjetër që po të isha që në fillim, do të isha shumë pranë titullit. Erdha në një moment kur skuadra ishte e dërrmuar psikologjikisht, pasi kishte humbur edhe besimin te drejtuesit. Më pas e arritëm objektivin, duke u shpallur nënkampionë, një rezultat historik për Laçin.