Vetëm në ditët e fundit presidenti i Partizanit, Gazment Demi, konfirmoi Dritan Mehmetin në krye të stolit edhe për sezonin e ardhshëm.

Ky vendim i presidentit i hap rrugën nisjes së planit për ndërtimin e skuadrës së edicionit të ri. Partizani do të përballet me shumë largime dhe drejtuesit, përveçse duhet të mbulojnë hapësirat e lëna, do të duhet të punojnë edhe për të krijuar një ekip më të mirë sesa i sezonit që sapo u mbyll.

Kryesisht, merkaton do ta kenë në dorë drejtuesit, por sigurisht Mehmeti do të ketë kërkesat e tij në lidhje me lojtarë apo pika ku skuadra duhet të përmirësohet.

Gjithçka nis nga mbrojtja, ku Albion Marku pritet të largohet dhe të lërë një vend bosh në krahët e difensivës.

Mehmeti natyrshëm kërkon një lojtar tjetër me peshë në anën e majtë, pasi pritet që Hadroj të luajë në të djathtë dhe anën tjetër klubi ta plotësojë në merkato.

Flitet mjaft për një rikthim të Esin Hakajt. Në mesfushë nuk priten largime të rëndësishme, por trajneri dhe klubi janë të vetëdijshëm se në këtë repart duhet një lojtar me cilësitë e një lideri.

Shumica e mesfushorëve aktualë janë të rinj dhe pa personalitetin e duhur për të mbajtur peshën sportive, por edhe psikologjike të skuadrës në momente të vështira.

Julian Shehu është opsioni më i pëlqyer për këtë pozicion, por rruga për te tiranasi është shumë e vështirë. Në sulm, Skuka ka nevojë për një partner që ta ndihmojë, por edhe ta vërë në presion për formacionin.

Mirosavljev do të largohet dhe në vend të tij pritet një tjetër sulmues. Deri më tani ende nuk ka një shënjestër të qartë të drejtuesve për ndonjë lojtar të caktuar.

Fillimisht duhet të negociohet largimi i serbit, që ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Stenio Zhunior, nga ana tjetër, është kthyer në Brazil dhe me shumë mundësi nuk ka prenotuar një biletë kthimi.

Largimi i tij e detyron Partizanin të nisë kërkimet për të firmosur me një anësor me cilësi të mëdha, për të mbuluar hapësirën e brazilianit dhe, pse jo, për të bërë edhe më mirë se 30-vjeçari.

Gjithashtu, nëse Mala nuk kthehet nga Giresunspori, do të duhet një zëvendësues edhe për të. Një tjetër mision shumë i vështirë. Vëmendja e drejtuesve do të jetë fillimisht në tregun vendës.