Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se fitimi i Kupës për dy vite radhazi, është diçka e jashtëzakonshme.

Xhaferi deklaroi se futbolli në Shkodër përjetohet shumë, ndërsa shtoi se kur fiton Vllaznia, punët në bashki shkojnë shumë mirë, ndërsa e kundërta ndodh kur skuadra humbet.

Kupa e këtij viti, ishte më e vështirë për t’u fituar në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është e bukura e futbollit, sepse duhet të besosh deri në fund dhe ne këtë bëmë. Aty treguam sa vlejmë.

Në Shkodër jetojnë me futbollin. Qajnë kur humb Vllaznia dhe qeshin kur fiton. Sigurisht që aty jetohet me presionin. Është një sfidë më vete, të jesh president i Vllaznisë. Kur fiton Vllaznia, dy ditë punët në bashki shkojnë vaj, ndërsa e kundërta ndodh kur humb skuadra.

Arritja e dy Kupave në dy vite, është një gjë e jashtëzakonshme. Skuadra ka pasur luhatje në këtë sezon. Rezultate zhgënjyese në kampionat, që nuk arritëm Europën. Kishim një optimizëm të brendshëm që do e fitonim Kupën e Shqipërisë. Duhen falënderuar edhe ish-trajnerët për punën e bërë te Vllaznia. Nëse nuk fitonim Kupën, do ishte një dështim më vete.