Me sezonin e përfunduar, vëmendja e skuadrave të Superligës kalon në merkato. Vllaznia që do rifillojë stërvitjen në datën 15 qershor, po përgatit edhe lëvizjet e saj në hyrjet apo edhe daljet e futbollistëve. Për kuqeblutë gjithnjë ka qenë i preferuar tregu i ish-vendeve të Jugosllavisë, por tani një vëmendje mund të kthehet edhe tek shkodranët që luajnë jashtë Shkodrës.

Ka disa prej tyre që kanë bërë shumë mirë në edicionin që sapo lamë pas. Të tillë janë dyshja e Kastriotit, Hasani-Karakaçi. Nëse për të parin po përflitet për një lëvizje jashtë vendit, mesfushori tjetër mund të mbulojë mjaft mirë rolin e Krymit tashmë i larguar nga Vllaznia. Një tjetër emër mjaft i spikatur është edhe Rubin Hebaj. Sulmuesi shënoi 10 gola me Teutën që nga janari, duke qenë një nga më të mirët në kampionat.

Alen Sherri duket se tashmë e ka mbyllur bashkëpunimin me Laçin. Një rikthim i tij në Shkodër për të mbrojtur portën kuqeblu do ishte me të vërtetë interesant. Po ashtu në Kategorinë e Parë dy shënuesit më të mirë ishin Qardaku i Bylis dhe Rraboshta i Erzenit. Të dy shkodranët do jenë pjesë e Superligës në sezonin që vjen, por edhe ndonjë afrim tek Vllaznia i ndonjërit prej tyre nuk do ishte i habitshëm.

Gjithsesi për momentin tek shkodranët po punojnë në qetësi. Ku duket se do ketë lëvizje edhe në stafin teknik dhe merkato do fillojë të marrë formën zyrtare pasi të rifillojë edhe njëherë procesi stërvitor ku futbollistët do shijojnë pushimet deri në gjysmën e muajit qershor.
Endri ÇINARI