Tirana ishte një nga klubet që ishte në bisedime për të marrë shërbimet e Fallou Diagne sezonin e ardhshëm me kosto zero, duke qenë se mbrojtësi momentalisht është një futbollist i lirë.

Në këtë formë, kryeqytetasve iu duk mundësia ideale për ta transferuar senegalezin. Megjithatë së fundmi burime të “Shkodra Sport” mësojnë se, bardheblutë nuk janë më në garë për Diagne.

Kjo, sepse drejtuesit e Tiranës janë njohur me kërkesat ekonomike të mbrojtësit dhe nuk janë aspak dakord me futbollistin. Sipas drejtuesve të Tiranës, për ish-mbrojtësin e Vllaznisë në mosgjetjen e gjuhës së përbashkët, problem janë pretendimet e larta ekonomike që ai ka.

Nga sa mësohet, drejtuesit bardheblu i kanë ofruar një pagë prej 4 mijë eurosh në muaj Diagne, por ai nuk ka qenë i kënaqur me këtë pagë. Një gjë e tillë ka bërë që momentalisht Tirana të tërhiqet nga gara për shërbimet e Diagne, teksa vetëm ndonjë emergjencë në repartin e mbrojtjes mund të “detyrojë” bardheblutë të bëjnë “prapakthehu”.
Maringlen ZHIVANI