Renia nga Superliga e Dinamos ka krijuar nje kaos te madh ne klub. Drejtuesit e saj e kane te paqarte se si do te vazhdojne te funksionojne, per me teper qe me teper se gjysma e lojtareve aktuale kane ende kontrate me ta.

Por me ardhjen e donatorit tjeter te kjo skuader, Kristian Gjidodajt, kane filluar te mendojne edhe menyren si mund t’i nderpresin keto kontrata. Drejtuesit vendosën që skuadra të stërvitet deri më 15 qershor dhe kështu po ndodh. Një “manovër” kjo për të irrituar lojtarët dhe për t’i shtyrë që të kërkojnë vetë prishjen e njëanshme të kontratës.

Por kjo nuk ndodhi dhe sportistet dolen ne stervitje. Nga ana tjeter, u mendua nje tjeter zgjidhje dhe disa nga emrat me te njohur te skuadres si Agim Ibraimi, Besir Demiri, Lansinet Sidibe, Aleksandër Sofranak dhe Eni Imami i kane çuar te luajne me ekipin U21 qe kishte ndeshjen e fundit.

Vetëm Imami ka munguar, në fakt, pasi kishte marrë leje për arsye personale, ndërsa të tjerët janë paraqitur sipas direktivave të klubit.Nëse Ibraimi, Demiri dhe Sidibe kanë më shumë se një pjesë loje, Sofranak “shpëtoi” prej rregullores.
Jo më shumë se tre lejohen që të luajnë mbi moshën 21-vjeçare dhe rrjedhimisht as nga stoli nuk mund të aktivizoheshin.

Nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha kjo ndodh për të shkaktuar mërzitje dhe irritim në radhët e futbollistëve të aktivizuar titullarë gjatë sezonit, ku Dinamo nuk mundi të mbijetonte.Megjithatë, duket e vështirë që situata të zhbllokohet në këtë mënyrë.

Të paktën deri tani kjo metodë nuk ka dhënë rezultat, përkundrazi ka shtuar inatin e lojtarëve për t’i qëndruar kontratës së firmosur verën e kaluar.

PAGAT – Gazeta ka mësuar nga burime pranë saj se futbollistët janë gati të mbyllin marrëveshjen me Dinamon, nëse marrin dy paga mujore. Në anën tjetër, me sa duket, klubi nuk dëshiron të japë më asgjë në aspektin financiar dhe këtu krijohet një ngërç, që ndoshta do të shkojë drejt zgjidhjes në rrugë ligjore. Për momentin, vazhdon mundja e dorës.

Secila palë qëndron në “llogoren” e vet. Me negociatat e deritanishme nuk ka asnjë akord dhe mbetet të shihet se sa do të zgjatë kjo situatë. Nuk do të ishte aspak çudi që Dinamo ta vazhdojë stërvitjen deri në fund të muajit, sikur të merrte pjesë në Kupat e Europës…