Shqipëria mbylli dy ndeshjet e para të Nations League, duke marrë vetëm një pikë në Islandë, teksa grumbullimi i qershorit do të përfundojë sot në mbrëmje, menjëherë pas sfidës miqësore ndaj Estonisë.

Një pjesë e mirë e titullarëve kuqezi janë larguar tashmë nga grumbullimi, teksa miqësorja e sotme do t’i shërbejë trajnerit Edoardo Reja, për të testuar emra të rinj dhe futbollistë që kanë luajtur më pak gjatë dy ndeshjeve të para.

Kështu, në portë do të luajë Gentian Selmani si titullar, teksa para tij do të aktivizohen Enea Mihaj, Adrian Bajrami dhe Erion Hoxhallari, me Bajramin që do të debutojë me fanellën kuqezi, pasi mori pashaportën shqiptare në fillim të këtij muaji.

Në mesfushë, Hysaj do të rikthehet në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë favorit është Lenjani, por nuk përjashtohet edhe mundësia që ta nisë titullar shkodrani Haveri, një futbollist që është pjesë e Riminit në Itali.

Në qendër të mesfushës, do të luajnë Çekiçi dhe Ramadani të sigurt, teksa dilema e Rejës është mes Amir Abrashit dhe Enis Çokajt. Më pak dyshime ka për sulmin, që pritet të përbëhet nga futbollistët më në formë, Armando Broja dhe Giacomo Vrioni, që do të luajnë për herë të parë në krah të njëri-tjetrit.
Maringlen ZHIVANI