Qetësia momentale me afrimet në merkato ka sjellur zhgënjim të madh në rradhët e tifozëve të Vllaznisë. Këta të fundit, pas privatizimit të klubit, filluan të ëndërronin për rikthimin e skuadrës së dikurshme, kur kuqeblutë fituan titullin kampion para shumë vitesh.

Megjithatë, gjërat nuk shkuan ashtu si duhej dhe sinjalet për këtë situatë, tifozët e Vllaznisë i kuptuan shpejt. Për hir të së vërtetës, ata kanë qenë që në fillim kundër politikave, që ndoqi klubi pas rikthimit tek privatizimi.

Sipas tyre, drejtimi i skuadrës nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë skuadër, është një nga çështjet, që tifozët kuqeblu e kanë kundërshtuar me forcë gjatë kësaj periudhe.

Sapo klubi shkodran bën një njoftim, në grupet e ndryshme menjëherë vërshojnë komentet, shumica e të cilave kanë të bëjnë me disa situata tek Vllaznia, teksa sipas tyre gjëra të ndryshme nuk shkojnë siç duhet.

Ata e kanë kritikuar fuqishëm klubin dhe shpesh herë, disa situata prej tyre janë konsideruar si veprime pa sens. Tifozët vazhdojnë të këmbëngulin me forma të ndryshme dhe me komente të ndryshme në rrjetet sociale, me shpresën që këto kritika t’i shërbejnë në të mirë Vllaznisë. Megjithatë, sa do të ndikojë pozitivisht një gjë e tillë, mbetet për t’u parë në vijim.
Maringlen ZHIVANI