Korriku i vitit 2009 ishte një muaj dhe një vit shumë i rëndësishëm në historinë e Real Madrid.

Ishte muaji kur ata thyen rekordin botëror të transferimeve për një superyll, i cili do të bëhej një nga lojtarët më të mëdhenj të klubit ndonjëherë, Cristiano Ronaldo. Ditën që ishte nisur për t’u prezantuar në stadiumin Santiago Bernabeu, ai u befasua.

Po kalonte para stadiumit dhe sheh mijëra e mijëra tifozë duke tentuar të futen në tribunat e stadiumit. Ronaldo tha: “Mos ndoshta është ndryshuar orari dhe do të luhet ndonjë ndeshje?” Rreth 80 mijë tifozë brenda Santiago Bernabeu për të parë numrin 9-të të ri të klubit.

Ishte ëndrra e Cristiano Ronaldos të vishte fanellën e bardhë të famshme të Madridit, dhe më 20 korrik ai më në fund mori këtë mundësi, duke bërë debutimin e tij kundër skuadrës irlandeze Shamrock Rovers.

Ai luajti për rreth 45 minuta në debutimin e tij por nuk arriti të shënonte apo të linte shenjë. Menjëherë, mediat shpërthyen kundër tij duke e quajtur si një dështim, ndërsa disa media të tjera thjesht shkruanin se Ronaldo nuk ishte munduar fare në atë ndeshje miqësore.

Vitet kalonin dhe emri i CR7 u bë tmerri i çdo ekipi të mundshëm. Makineri golash, asistimesh, magjie dhe me një influencë të madhe në ekip. Topat e Artë filluan të shtohen, trofetë personal dhe me klubin spanjoll akoma dhe më shumë.

Cristiano Ronaldo luajti 438 ndeshje me fanellën e “Los Blancos”, ku shënoi 450 gola dhe asistoi 131 herë.