Vllaznia fitoi sot miqësoren e dytë në Austri, atje ku shkodranët po vijojnë përgatitjet për ndeshjet europiane, ku sipas shortit, sfida e parë është ajo e datës 21-korrik, kur Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e Universitatea Kraiova, sfidë kjo e vlefshme për turin e dytë të Conference League.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH Shkodra, zv/trajneri i kuqebluve, Auron Miloti ka folur nga Austria rreth ecurisë së fazës përgatitore të Vllaznisë. Ai u shpreh se forma e ekipit po vjen gjithnjë e në rritje, ndërsa theksoi se një gjë e tillë të bën të besosh për vazhdimësinë e ekipit shkodran, duke nisur nga ndeshjet europiane ndaj Universitatea Kraiova.

“Forma e ekipit po vjen gjithnjë e më e mirë. Nga dita në ditë, çdo futbollist po tregon më të mirën. Po vijnë në rritje në çdo aspekt dhe kjo të bën që të ndihesh mirë për vazhdimësinë.

Mund të them se janë afruar futbollistë cilësor. Të gjithë futbollistët që janë afruar, mendoj se kanë dhënë shumë nga “arsenali” i tyre. Kemi bërë afrime cilësore, si Boshnjaku, Vulaj apo Juriç, si edhe futbollistë që i njohim, si Shehi, Marku dhe deri te të rinjtë Alivoda dhe të tjerët, që janë bashkuar që vjet me skuadrën. Mendoj se janë bërë afrimet e duhura.

Mendoj se nga ndeshja në ndeshje, të gjithë do ta shikojmë se si do të vijë në rritje loja e gjithsecilit prej futbollistëve.

Afrime të tjera? Nuk mendoj se ka kohë për një gjë të tillë. Ne po punojmë për takimin ndaj Universitatea Kraiova me futbollistët që kemi në dispozicion.

Nuk mund të themi se e kemi mbyllur plotësisht merkaton, por thashë që për takimet e Conference League, nuk do të kemi afrime. Për sa i përket sezonit të ri, ka kohë për të menduar për situatat dhe lëvizjet në merkato.

Takimi ndaj Universitatea Kraiova? Mund të them se është një përballje tejet e vështirë. Kemi përballë një skuadër me shumë financa, por në futboll nuk ka asgjë të pamundur. Unë do të thoja se ne do të hyjmë në këto takime me një qëllim për të kërkuar kualifikimin. Gjithmonë mund të kërkohet më e mira.

Gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve, po kërkohet që futbollistët të marrin ngarkesën e duhur dhe për më tepër, të mos kalojnë probleme fizike dhe dëmtimesh. Shpresojmë që edhe Latifi, që pati atë problem shëndetësor, të jetë i gatshëm për sfidën e parë të Conference League. Ai që në momentin kur ka ardhur, po stërvitet fort për të kapur ritmin e ekipit, ndërsa pjesa tjetër duket se është mirë. Besoj që kjo të vijojë deri në fund.

Jam optimist se futbollistët që qëndruan me ekipin dhe pjesa tjetër e futbollistëve që u bashkuan, janë cilësorë. Besoj se me këtë staf futbollistësh, ne do të jemi pretendentë dhe shumë kompetitivë në sezonin e ri, si në kampionat, edhe në Kupën e Shqipërisë”,-mbylli prononcimin e tij, zv/trajneri i Vllaznisë, Auron Miloti.
Maringlen ZHIVANI