Kur Bayern festoi titullin kampion, vëmendjen kryesore e mori Thomas Muller, si legjendë e klubit që po largohet. Gjithsesi, një njeri kyç i skuadrës kampione të Gjermanisë po rrit ndikimin e tij. Është fjala për trajnerin Vincent Kompany.

Të gjithë e duan në Mynih. “Duke konsideruar faktin se nuk ka punuar më parë në Gjermani, mendoj se ka punuar shkëlqyeshëm. Ai ka qetësi, inteligjencë dhe di si të merret me gazetarët. Ai nuk e lejon veten të provokohet. Sjell paqe në publik dhe kjo na duhet të gjithëve”, ka deklaruar Uli Hoeness.

“E dua trajnerin. Sapo kemi nisur një epokë të suksesshme këtu”, ka thënë Harry Kane.

Bild shkruan disa nga arsyet pse Kompany mund të jetë një emër afatgjatë te Bayern. Së pari, ai nuk ankohet për merkaton në media, por flet drejtpërdrejtë me drejtuesit e klubit, jo si paraardhësi i tij, Thomas Tuchel. Së dyti, belgu nuk ka probleme me lojtarët, gjë e rrallë në Mynih. Ai është i sjellshëm dhe ka fituar zemrën e skuadrës.

Së treti, është i përulur dhe nuk kërkon “beteja” mediatike apo të jetë në qendër të vëmendjes. Ai nuk e pëlqen zhurmën, por punën. Pranon të luajë edhe me lojtarë të rinj apo jo shumë të njohur, nëse ata shfaqin vullnet për t’u rritur profesionalisht. E fundit dhe më e rëndësishmja: Bayern me të luan futboll të mirë./telesport/