Samir Xaud është fytyra e ndryshimit në Brazil. 41-vjeçari mori presidencën e Federatës së Futbollit (CBF) në një moment kritik institucional, por me bindjen se do ta rikthejë Brazilin në majë, së bashku me Carlo Ancelottin.
Keni ardhur si fytyra e ndryshimit në CBF. Cilat janë objektivat tuaja për këtë cikël të ri?
Qëllimi ynë është të përmirësohemi. Duam të kthejmë faqen pas gjithçkaje që CBF ka kaluar vitet e fundit, me një paqëndrueshmëri të madhe institucionale. Nuk bëhet fjalë vetëm për presidentin, por për një grup njerëzish që dëshirojnë më të mirën për futbollin brazilian. Të gjithë u bashkuam me këtë qëllim; ta përmirësojnë dhe t’i sjellin më shumë stabilitet futbollit në vendin tonë. Duam ta rikthejmë Brazilin aty ku e meriton.
Pritshmëritë janë shumë të larta, sidomos pas ardhjes së Carlo Ancelottit. A e ndjeni presionin e publikut brazilian?
Carlo është një nga trajnerët më të mirë në botë, ka fituar gjithçka. Besojmë se, falë përvojës së tij, afërsisë me lojtarët brazilianë, karizmës dhe lidhjes që ka me këtë brez lojtarësh, ai do të arrijë rezultatet më të mira. Carlo do të sjellë unitetin që i duhet Brazilit. Po luftojmë për vendin tonë; jemi pranë kualifikimit për Kupën e Botës. Kemi shumë besim te Carlo. Ai dhe stafi i tij kanë autonomi të plotë për të punuar; nuk do të ketë ndërhyrje as të jashtme e as të brendshme. Do t’i lëmë të punojnë përkrah lojtarëve. E shoh këtë rrugëtim plot shpresë dhe pritshmëri. Besoj vërtet që kombëtarja jonë do të evoluojë ndjeshëm me ardhjen e Carletto, shpresojmë të ndërtojmë një skuadër shumë konkurruese. Qëllimi ynë është finalja e Kupës së Botës dhe fitimi i titullit të gjashtë.
E keni shoqëruar Ancelottin në ndeshjet e para që ka ndjekur si trajner i Brazilit (Botafogo, Flamengo dhe Corinthians). Si ishte kjo përvojë?
Përvojë e jashtëzakonshme. Carlo është një njeri fantastik, me shumë karizëm, shumë i dashur, shumë inteligjent dhe e kupton futbollin në thellësi. Mendoj se ishte një përvojë e veçantë edhe për të, pasi u prit me shumë entuziazëm, jo vetëm nga bordi drejtues i CBF, por edhe nga i gjithë populli brazilian.
Keni pasur 4 trajnerë në dy vitet e fundit (Ramón Menezes, Fernando Diniz, Dorival Jr. dhe Carlo Ancelotti), një situatë e paprecedentë për Brazilin. A ka pasiguri në këtë drejtim?
Jo, absolutisht jo. Duhet t’i japim kohë trajnerit. E dimë që asnjë punë e mirë nuk bëhet brenda natës. Duam që Carlo të qëndrojë deri në fund të kontratës së tij. Në varësi të rezultateve, mund të negociojmë edhe për një zgjatje të qëndrimit të tij në Brazil.
Pra, mendoni se mandati i Carlo Ancelottit mund të shkojë përtej Kupës së Botës 2026?
Po, e besoj vërtet. Sidoqoftë, kjo varet shumë nga vetë Carlo. Më shumë nga dëshira e tij sesa nga ajo e CBF.
Është folur shumë për mundësinë që një legjendë braziliane, si Kaká ose Cafu, të jetë pjesë e stafit teknik të Carlo. A keni bërë ndonjë marrëveshje në këtë drejtim?
Jo, ende jo. Kjo i takon Carletto dhe stafit të tij. Presidenti nuk do të ndërhyjë në këtë drejtim. Siç e kam shpjeguar, ata kanë autonomi të plotë në punën e tyre. U takon atyre të vendosin se çfarë është më mirë për ta.