Elmando Gjini iu bashkua Ballkanit të Ilir Dajës, pas sezonit mbresëlënës me Teutën në elitën e futbollit shqiptar. Klubi kampion i Kosovës, zyrtarizoi ditën e sotme afrimin e mbrojtësit shkodran, i cili ka firmosur kontratë 4-vjeçare.
Nga burime të gazetës bëhet me dije se Teuta ka përfituar shumën e 120 mijë eurove nga shitja e Gjinit dhe ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të mbrojtësit. Për aq sa luajti me Teutën, ai ishte ndër më të mirët.
NJOFTIMI ZYRTAR I BALLKANIT:
Tifozë të dashur,
Skuadra nga dita në ditë po plotësohet e po komponohet!
Për t’i ndjekur objektivat tona ashtu siç na takon, kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se kampionëve të Republikës së Kosovës, iu është bashkuar edhe një futbollist kualitativ.
Mbrojtësi 21 vjeçar, Elmando Gjini, tashmë është veshur portokall e zi
Lojtari që mbron ngjyrat e Kombëtarës së Shqipërisë, së fundmi ishte pjesë e Teutës së Durrësit, skuadër me të cilën FC Ballkani ka arritur marrëveshje për blerjen e kartonit të tij.
Me futbollistin që karrieren te grupmoshat e reja e ka zhvilluar te disa skuadra evropiane, ndër to Genoa e Bologna të Serie A, kemi nënshkruar kontratë 4 vjeçare.
Klubi i dëshiron mirëseardhje shkodranit, duke i uruar suksese drejt arritjes së synimeve tona të përbashkëta.
Na priftë e mbara!