Xabi Alonso e nisi me barazim punën si trajner i Real Madridit në ndeshjen e parë zyrtare, ku ekipi madrilen barazoi 1-1 ndaj Al-Hilal në ndeshjen e parë në grup për Kupën e Botës për Klube.

Trajneri bask ka shprehur pakënaqësinë e tij të paktën me 3 titullarë në këtë ndeshje. I pari është Fran Garcia, i cili u aktivizua në krahun e majtë, ku edhe pse tregoi disa cilësi të mira, sërish nuk po arrin të korrigjojë mangësinë e tij më të madhe që është aftësia për të mbrojtur dhe pikërisht kjo gjë i është vënë në dukje nga Xabi Alonso.

Lojtari i dytë që ka marrë vërejtje nga Xabi Alonso është mbrojtësi tjetër, Raul Asencio, i cili shkaktoi penalltinë me një lëvizje të panevojshme në fund të pjesës së parë, aty nga ku erdhi dhe goli i barazimit. Pikërisht kjo lëvizje e panevojshme e tij nuk është pëlqyer shumë nga Alonso, i cili i ka kërkuar lojtarit të bëjë më shumë kujdes në raste të tilla dhe duhet të jetë më i qetë.

Lojtari i tretë është Jude Bellingham, i cili kur ishte trajner Carlo Ancelotti, luante si mesfushor sulmues, por me ardhjen e Alonso-s, tekniku spanjoll i ka kërkuar anglezit të luajë si mesfushor defensiv. Mesa duket, Bellingham ende nuk është mësuar me rolin e tij të ri dhe do i duhet koha e nevojshme për t’u përshtatur./telesport/