Xhevahir Sukaj shënon sot golin e fitores për Sepahan

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka shënuar sërish për skuadrën e tij Sepahan. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit në mes ekipit Folad dhe Sepahan, ai ka shënuar pikërisht në minutën e 85-të të ndeshjes, gol që ka qenë i dyti për skuadrën e tij dhe njëkohësisht i fitores. Deri në ato momente ndeshja ka qenë në barazim 1-1. Sukaj ka rrëmbyer një top nga lojtarët kundërshtarë, ka vrapuar i vetëm drejt zonës dhe përballë 3-4 mbrojtësve, ka arritur të godasë saktë me të majtën dhe ta dërgojë topin në rrjetë. Sigurisht që entuziasmi ka qenë i madh për Sukajn, për futbollistët e tjerë të skuadrës së tij por edhe për trajnerin Kranjçar.

Klodian Semina, gol dhe asist në fitoren e Lokarnos

Mbrojtësi shkodran Klodian Semina ka qenë protagonist në ndeshjen e djeshme, atë që ekipi i tij Lokarno ka luajtur në transfertë me Etoile Carouge dhe e ka fituar thellësisht 5-1. Shtatëlarti i mbrojtjes ka dhënë asistin e golit të parë, ka arritur të shënojë edhe vetë në fundin e ndeshjes pikërisht në minutat e fundit të saj pas një goditje të bukur me kokë. Me fitoren e djeshme, Lokarno ndodhet në vendin e 10-të në ligën e dytë zviceriane dhe tashmë thuajse është 100 për qind e shpëtuar nga rënia prej kategorisë. Në arritjen e kësaj, sigurisht që Lokarno një ndihmë të madhe ka marrë nga sulmuesi Sadiku. Elbasanasi ka shënuar plot 15 gola këtë sezon për të. Po ashtu, një ndihmë të madhe i ka dhënë edhe shkodrani Klodian Semina me lojërat shumë të mira që ka zhvilluar në mbrojtje.

Xhevahir Sukaj shënon golin e parë në Iran për Sepahan

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj më në fund ka mbërritur tek goli. Ai ka shënuar për skuadrën e tij Sepahan në ndeshjen e luajtur ndaj Persepolis. Goli i shkodranit 24 vjeçar është shënuar në minutën e 83-të të ndeshjes dhe u duk se me këtë gol ai do t'i jepte fitoren skuadrës së tij por nuk ka ndodhur kështu pasi kundërshtarët kanë barazuar në minutën e 90-të të ndeshjes. Ndeshja e sotme ka qenë e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit. Ky gol ka vlera të veçanta për Sukajn sepse është i pari në ndeshjet zyrtare për Sepahanin. Trajneri i tij Kranjçar vazhdon t'i besojë ish-futbollistit të Vllaznisë i cili nuk po e zhgënjen atë.

Alsid Tafili tjetër gol për Lirinë e Prizrenit

Mesfushori shkodran Alsid Tafili ka shënuar sërish për Lirinë e Prizrenit. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Gjakovë ndaj Vllaznimit vendas. Të parët kaluan në avantazh vendasit ndërkohë që Tafili ka arritur të barazojë shifrat në 1-1 në minutën e 61-të të ndeshjes pas një gjuajte të bukur në hyrje të zonës. Ndeshja u duk se do të mbaronte në barazim por gjyqtari i ndeshjes në minutat e fundit ka akorduar një 11-metërsh të paqenë për Vllazninë që është kundërshtuar fuqishëm nga prizrenasit megjithatë ai është ekzekutuar dhe ka përfunduar në rrjetë. Në këtë mënyrë ndeshja është mbyllur 2-1 për gjakovarët, të cilët mbajnë vendin e dytë në renditje pas kësaj jave ndërsa Liria ndodhet në të tetin me 27 pikë.

Sukaj shtyllë dhe gol i anulluar në fitoren e Sepahanit

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vazhdon të jetë protagonist me skuadrën e tij të Sepahanit. Ai ka luajtur mbrëmë për këtë skuadër në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Azisë kur Sepahan ka pritur në fushën e tij kampionen e Katarit- Lekhëiya. Skuadra e Sukajt ka fituar 2-1 dhe ndonëse ai vetë nuk ka shënuar, sërish ka bërë një ndeshje mjaft të mirë. Ka goditur një shtyllë gjatë kësaj ndeshje dhe po ashtu ka shënuar edhe një gol mëse të rregullt sipas vetë atij por të anulluar nga gjyqtari pa të drejtë. "Jam aktivizuar në pjesën e dytë dhe mendoj se jam paraqitur mirë. Godita shtyllën dhe në një moment tjetër, gjyqtari më anulloi një gol shumë të bukur gjoja për poziicion jashtë loje por në fakt pozicioni im siç e dhanë edhe mediat këtu, ishte mëse i rregullt"- ka thënë Xhevoja për gazetën online www.shkodrasport.com.

Klodian Semina, titullar dhe …shpresë për Kombëtaren

Mbrojtësi shkodran Klodian Semina është duke luajtur titullar në thuajse të gjitha ndeshjet me ekipin e kategorisë së dytë në Zvicër- Lokarno. Ka ndodhur kështu edhe dje kur ka qenë për 90 minuta në fushë, në ndeshjen që ekipi i tij ka luajtur ndaj Bielit. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ka qenë 2-0 për Lokarnon, me dy gola të shënuar nga elbasanasit Armando Sadiku. Sipas vetë Seminës, në një prononcim ekskluziv për gazetën online www.shkodrasport.com, fitorja e djeshme ka qenë shumë e rëndëisshme për skuadrën e tij. "Ka qenë një fitore me mjaft vlera. Kemi fituar ndaj Bielit, një kundërshtar direkt për ne. Por në këtë ndeshje, kam marrë edhe karton të verdhë, që ishte i katërti për mua dhe prandaj do të mungoj në ndeshjen e rradhës. Megjithatë, tashmë jemi në vend të 10-të me 6 pikë më shumë në renditje, në pozita disi më komode. Kampionati i sivjetëm ka qenë shumë i vështirë sepse nga kategoria sivjet bien plot 6 ekipe ngaqë kampionati i ardhshëm do jetë me 10 skuadra. Kemi një kalendar të favorshëm në javët e mbetura dhe me shumë mundësi Lokarno nuk e diskuton qëndrimin në kategori"-ka thënë ai.

Tafili e Mehja shkëlqejnë. Liria mund edhe Trepçe ’89

Një javë më parë Liria e Prizrenit ndali Prishtinën e vendit të parë duke e mundur me rezultatin 1-0, pikërisht me golin e shkodranit Adi Mehja. Por sot ajo ka mundur edhe Trepçe '89, skuadrën e vendit të dytë. Madje me rezultat edhe më të thellë, 2-0. Siç bën të ditur faqja zyrtare e klubit prizrenas, dy shkodranët kanë qenë sërish ndër më të mirët në fushë ndonëse këtë herë nuk kanë shënuar. Tafili ka qenë protagonist tek goli i parë teksa ka dhënë asistin për Ramën, që e ka dërguar topin në rrjetë. Nga ana tjetër, Mehja në pjesën e dytë ka arritur të godasë traversën por pa shënuar dot. Të dy këta futbollistë kanë qenë në fushë për 90 minuta në këtë takim.

Xhuliano Kulli, shkodrani që firmos për Dinamon e Bukureshtit

Në Shkodër dhe në Shqipëri e njohin pëmes xhonglimeve dhe you-tubit por mesfushori Xhuliano Kulli di të luajë bukur futboll. Pikërisht për këtë arsye, dy ditë më parë, 21 vjeçari i lindur në Shkodër dhe i rritur në Itali, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me skuadrën e mirënjohur rumune të Dinamos së Bukureshtit. Videot e tij në you-tube, kanë ngacmuar drejtuesit e Dinamos së Bukureshtit për të dërguar menaxherët e tyre në Itali për ta ndjekur në disa ndeshje dhe janë befasuar me nivelin e paraqitur. Për këtë arsye ata i kanë ofruar të shkojë në Rumani për të vazhduar karrierën e tij sportive. Dy ditë më parë, Xhuliano Kulli siç bëhet e ditur edhe nga mediat rumune, ka firmosur për dy vite me gjigandët rumunë të futbollit por kontrata ka një klauzolë sepse deri në fund të këtij sezoni, lojtari duhet të stërvitet dhe të luajë me ekipin e kategorisë së dytë të Rumanisë- Deva që është një filial i Dinamos së Bukureshtit.

Vajushi 45 minuta titullar. Liteks fiton sërish

Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka luajtur sërish titullar në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme ndaj Varnas. Ai ka qëndruar 45 minuta në fushë ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë është zëvendësuar nga ana e trajnerit Stoçkov. Skuadra e Vajushit e ka fituar ndeshjen e sotme me rezultatin 1-0 ndonëse ka luajtur në transfertë. Goli i Janes në minutën e 55-të i ka dhënë fitoren kësaj skuadre.Duhet thënë se Liteksi ka ndryshuar tërësisht pas janarit teksa ka arritur 6 fitore dhe 1 barazim ndërkohë që nuk e njeh shijen e humbjes. Me fitoren e sotme, kjo skuadër është ngjitur në vendin e pestë të renditjes vetëm me 4 pikë larg vendit të dytë dhe të tretë. Madje kjo diferencë mund të ngushtohet javën e ardhshme teksa Liteks do presë në Lovech ekipin e Levskit të Sofjes që është i renditur i dyti. Për Vajushin sigurisht që ka rëndësi të luajë rregullisht dhe të japë më të mirën e tij.

Admir Mehja shënon sërish. Liria mund Prishtinën kryesuese

Futbollisti shkodran Admir Mehaj ka shënuar sërish për skuadrën e Lirisë së Prizrenit për të cilën luan. Ka ndodhur kështu në takimin e sotëm, atë që skuadra prizrenase ka luajtur në fushën e vet ndaj ekipit të Prishtinës që udhëheq kampionatin. Mehaj ka shënuar në minutën e 47-të të ndeshjes me një gjuajtje të fortë me të djathtën e tij nga 25 metra. Ky gol ka qenë i vetmi i ndeshjes, rezultati përfundimtar i së cilës ka qenë 1-0 për Lirinë. Ky është goli i dytë rradhazi për Mehajn sepse siç ju kemi bërë të njohur, ai pat shënuar edhe javën e kaluar, në transfertën e mbyllur barazim 1-1 me KEK. Ndeshja e sotme ndaj Prishtinës ka qenë interesante dhe është ndjekur nga 2 mijë shikues. Figurë shumë të mirë në këtë ndeshje ka bërë edhe futbollisti tjetër shkodran Alsid Tafili.