Kursi i Drejtorit Sportiv i organizuar nga Federata e Futbollit nën udhëheqjen e specialistëve të Departamentit të Edukimit është përmbyllur me sukses.
Për një muaj me radhë, të gjithë kursantët kanë punuar dhe kanë marrë njohuritë e duhura nga lektorë të njohur në disa fusha të rëndësishme të punës së drejtorit sportiv, si: Burimet njerëzore, skautizmi, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, qeverisja, organizimi i stadiumeve, marketingu dhe e drejta TV, licensimet, PR, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.
Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u organizua edhe ceremonia e diplomimit. Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova, specialisti i Sektorit të Edukimit, Alban Tafaj, dhe përgjegjësi i sektorit të skautizmit, Ardi Behari, i uruan sa më shumë suksese të sapodiplomuarve, në këtë kapitull të ri të karrierës.
Në fund të ceremonisë u shpërndanë edhe diplomat e Drejtorit Sportiv për 19 pjesëmarrësit, ku mes tyre ishin edhe figura të njohura të futbollit në vend si Andi Lila dhe Vullnet Basha, ish – futbollistët e Kombëtares shqiptare. Po ashtu mes të diplomuarve është edhe një shkodran, pikërisht Amber Ursi.
Ky i fundit e ka shumë pasion futbollin dhe madje e ka ushtruar atë për disa kohë, ndërkohë që ka kryer edhe studimet e larta për Shkenca sportive. Gjithashtu, nisur edhe nga pasioni i tij i madh për sportin, ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit ndërsa tashmë është diplomuar edhe si drejtor sportiv./www.shkodrasport.com/