Vetëm pak javë pasi u largua nga Egnatia, mesfushori Arbin Zejnullai është shumë pranë të ardhmes së tij të re — që në fakt do të jetë një rikthim i njohur. Pas mbylljes së bashkëpunimit me kampionët e Shqipërisë, 26-vjeçari mbeti lojtar i lirë dhe ka tërhequr menjëherë interesimin e disa skuadrave, mes tyre edhe Vllaznia që shfaqi dëshirën për të negociuar dhe për ta bindur të vishet kuqeblu.
Megjithatë, duket se Shkëndija e Tetovës do të fitojë garën për firmën e tij. Mediat bëjnë me dije se klubi kuqezi ndodhet vetëm një hap larg finalizimit të marrëveshjes me lojtarin, ndërsa palët po diskutojnë detajet e fundit të kontratës.
Ky pritet të jetë një rikthim për Zejnullain, i cili ka qenë më parë pjesë e Shkëndijës, klub ku edhe është formuar si futbollist në akademi. Paraqitjet e tij mbresëlënëse me Egnatian kanë rritur profilin e tij në tregun e futbollit shqiptar. Në sezonin e fundit, Zejnullai luajti 46 ndeshje, duke realizuar 3 gola dhe dhuruar 2 asistime.
Gjatë qëndrimit trevjeçar në Rrogozhinë, ai kontribuoi në arritjen e sukseseve të mëdha: dy tituj kampionë, dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë. Me përvojën dhe formën aktuale, rikthimi i Zejnullait te Shkëndija pritet të jetë një përforcim me shumë peshë për skuadrën tetovare.