Nga Maringlen ZHIVANI

Ditët e fundit ka filluar të përflitet për një rikthim të tij tek Vllaznia… Fjala është për mesfushorin shkodran Rejan Alivoda, i cili është pjesë e Ittihad Kalba në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Alivoda, i kontaktuar nga “Shkodra Sport”, rreth një mundësie të një rikthimi të mundshëm në Shkodër theksoi se ka kontratë edhe për një vit tjetër me Ittihad Kalba. Ai tha se për momentin është me pushime dhe më pas do t’u rikthehet seancave stërvitore tek skuadra, me të cilën ka kontratë edhe një sezon tjetër.

“Rikthim te Vllaznia? Unë kam kontratë me Ittihad Kalba edhe një vit tjetër. Kam patur besimin e drejtuesve dhe të trajnerit dhe në këto kushte do të vijoj të luaj atje. Unë për momentin jam me pushime dhe e ardhmja ime do të jetë të paktën edhe për një vit tjetër tek Ittihad Kalba në Emiratet e Bashkuara Arabe. Po punoj çdo ditë për të dhënë më të mirën për klubin ku luaj dhe do mundohem të bëj maksimumin në vazhdim”,-tha Rejan Alivoda për “Shkodra Sport”.

Në fakt, Alivoda ka bërë një sezon pozitiv që nga momenti kur është transferuar tek Ittihad Kalba në Emiratet e Bashkuara Arabe. Atje, mesfushori shkodran ka patur besimin maksimal të trajnerit të tij, që e ka aktivizuar në 21-ndeshje dhe në fakt, paraqitjet e Alivodës kanë qenë pozitive.(www.shkodrasport.com)