Nga Maringlen ZHIVANI

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili, ka mohuar lajmet e përhapura së fundmi në media për një rikthim të mundshëm te klubi kuqeblu. Mbrojtësi shqiptaro-maqedonas, i kontaktuar nga “Shkodra Sport”, theksoi se nuk ka pasur asnjë komunikim me klubin shkodran.

“Nuk kam folur me askënd nga Vllaznia. Edhe mua mi dërguan disa shokë lajmet për një rikthim te Vllaznia, ama nuk kam kontaktuar me asnjë nga klubi. Vetëm me tifozët që më kanë shkruajtur dhe më kanë pyetur, të cilët janë të shumtë. Unë kam kaluar mirë në Shkodër, ama nuk kam asnjë kontakt nga klubi i Vllaznisë për një rikthim”,-deklaroi Adili në përgjigjen e tij për “Shkodra Sport”.

Mevlan Adili mbetet një figurë ikonike në futbollin shkodran, pasi luajti për disa vite në Shkodër, madje duke fituar edhe dy Kupa. Me kuqeblutë, Adili zhvilloi paraqitje dinjitoze, duke lënë një gjurmë të madhe në memorien e tifozëve shkodranë.

Pas asaj eksperience me Vllazninë, ai ka ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me Shkodrën, ku herë pas herë madje është parë në stadiumin “Loro Boriçi”, duke ndjekur ndeshjet e ekipit kuqeblu.