Nga Maringlen ZHIVANI
E gjithë vëmendja e sportdashësve shkodranë është përqëndruar aktualisht tek ekipi i parë i Vllaznisë se kush do të jenë afrimet e reja dhe futbollistët që do të luajnë me të në Kupat e Europës dhe në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, në fakt pakkush ose më mirë të themi askush e di se nga sezoni i ardhshëm, Vllaznia do të ketë edhe një ekip të dytë.
Kështu, bëhet fjalë për ekipin “Vllaznia B”, që në fakt deri para pak vitesh ishte ekzistent, madje duke luajtur edhe në Kategorinë e Parë. Disa sezone më parë, Vllaznia ka qenë i vetmi klub që ka patur dy ekipe profesioniste dhe kjo u konsiderua si një diçka shumë pozitive. Ekipi i “Vllaznia B” u krijua disa vite më parë me idenë e qartë për të promovuar futbollistët e rinj.
Megjithatë, me kalimin e viteve, atëherë gjërat erdhën duke ndryshuar dhe nuk funksionuan siç duhet dhe në fund, ekipi i dytë e pësoi. Në këto rrethana, “Vllaznia B” do të riekzistojë sërish dhe duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë së Tretë, me objektivin e qartë për t’u ngjitur në të Dytën. Ende nuk ka asgjë të qartë se cilët do të jenë futbollistët që do të luajnë për të dhe poashtu edhe trajneri.
Megjithatë, këto dilema do të marrin zgjidhje menjëherë sapo të ketë nisur punën ky ekip. Tashmë është e qartë se drejtuesit e klubit kanë marrë përsipër një mision të vështirë, ringritjen e këtij ekipi dhe madje me synimin për ta ngjitur një Kategori më lart. Natyrisht që, nuk do të jetë e lehtë, por edhe e pamundur jo.
Megjithatë, gjërat duhen marrë shumë seriozisht dhe ata e kanë të qartë këtë gjë. Në këto rrethana, klubi shkodran duket se është duke menduar opsionin e shkrirjes së ekipit U-21, për shkak të ri-krijimit edhe njëherë tjetër të ekipit të “Vllaznia B”. Kjo gjë konfirmohet edhe nga burime zyrtare pranë klubit Vllaznia.
Në klubin shkodran, puna po ecën me ritmet e duhura dhe shumë shpejt do të jetë sistemuar çdo gjë. Presidenti Alban Xhaferi ka premtuar se në klub do të ketë më shumë rregull dhe dispilinë në të gjitha hallkat për ta ngritur edhe njëherë në vendin që i takon me çdo ekip.(www.shkodrasport.com)