HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREElvin Beqiri: Vllaznia po tregon karakter, sivjet ka potencial për titullin

Elvin Beqiri: Vllaznia po tregon karakter, sivjet ka potencial për titullin

Nga Kanadaja ku jeton dhe punon prej disa vitesh me futbollin e moshave, duke korrur edhe suksese me skuadrat e tij, Elvin Beqiri ka folur për “Panorama Sport”. Ishkapiteni i Vllaznisë ka komentuar ecurinë e shkodranëve në këtë fillim kampionati.

Duke u ndalur në veçanti te fitorja e fundit 4-1 ndaj Partizanit, ku thekson se pavarësisht se fitorja u arrit vetëm në fund, kuqeblutë dominuan nga fillimi në fund të takimit.

Ndër të tjera ish-futbollisti edhe i kombëtares shqiptare ndalet edhe te “ndryshimet” që kanë shkodranët këtë edicion. Duke lënë një meritë për dyshen Martini-Sinani e ndërsa shpreson dhe beson se ky do jetë sezoni i duhur që Vllaznia të rikthejë titullin pas 25 vitesh mungesë.

Beqiri, një Vllazni që po bind nga java në javë akoma më shumë apo jo?

Shumë e vërtetë kjo fjali sepse po shoh një ekip në ngritje nga java në javë dhe pavarësisht humbjes së fundit ndaj Dinamos, skuadra reagoi shumë mirë ndaj Partizanit. Duke treguar jo vetëm cilësi, por shumë karakter dhe grintë. Deri më tani skuadra ka bindur me lojë dhe rezultat e siç e thashë, humbja ndaj Dinamos ishte thjesht një moment “jo” i ekipit.

Pavarësisht edhe në atë humbje skuadra shfaqi futboll të mirë dhe nëse do kishte shënuar në fillimin e pjesës së dytë, jam i sigurt që do kishte një rezultat tjetër në fund.

Pavarësisht se ndeshja u zgjidh në fund Vllaznia e meritoi totalisht fitoren besoj?

Gjithsesi më shumë se e merituar fitorja ndaj Partizanit pavarësisht se erdhi vetëm në fund. Merita ishte e portierit Hoxha të Partizanit që rezultati qëndroi i barabartë deri në minutat shtesë. Pasi Vllaznia kishte një mori shansesh për të shënuar edhe më parë. Personalisht më pëlqeu fitorja në fund, pse e them këtë. Sepse duket që kjo skuadër nuk dorëzohet deri në momentin e fundit dhe kërkon golin derisa të vërshëllejnë gjyqtari. Këtë e bëjnë vetëm skuadrat që kanë një mentalitet sulmues dhe fitues.

Është ky niveli real i ekipit sipas jush apo edhe Partizani nuk ishte në ditën e tij?

Jo, nuk mund të them se ky është një Partizan i dobët pasi është një ndër pretendentët për kampionatin. Janë një ekip serioz, me financa të shëndosha dhe futbollistë cilësorë e me eksperiencë. Prandaj nuk mund të them se janë një ekip i dobët, por merita qëndron te Vllaznia. Që presoi nga fillimi në fund, duke mos e lënë kundërshtarin të dilte në lojën e tij në asnjë moment. Dhe kjo është me të vërtetë për t’u vlerësuar, pasi siç e thashë vjen ndaj një prej ekipeve më cilësore të kampionatit.

Skuadra u shfaq me shumë futbollistë me tipare sulmuese kundër Partizanit, duhej të vijojë në këtë mënyrë trajneri Martini?

Mendoj se kjo skuadër po shfaq mentalitetin e Martinit, që kërkon të mbajë kundërshtarin në gjysmë fushën e tij. Dhe Vllaznia e këtij sezoni i ka mundësitë për një futboll sulmues në çdo ndeshje, pasi edhe vetë futbollistët janë të një profili sulmues. Pra, është ndërtuar një ekip për të dominuar kundërshtarët në çdo ndeshje dhe të pretendojë fitoren në çdo 90-minutësh.

Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër në krahasim me sezonin e shkuar?

Më duket një ekip që nuk i lë gjë rastësisë, nuk stepet dhe ka një grintë e ego shumë të madhe në fushën e lojës. Kjo patjetër e injektuar nga trajneri Martini apo edhe drejtuesi e tjerë siç është Sinani. Shoh një ndryshim shumë pozitiv në këtë prizëm kaluar më sezonin e shkuar, ku ndonjëherë dukej se skuadra nuk ishte e përqendruar aq sa duhej dhe kjo ndikonte edhe në performancën e tyre në fushën e lojës.

Mund të presim akoma më tepër nga ekipi?

Absolutisht që po, pasi kjo skuadër ka mundësi për shumë më shumë në javët e ardhshme. Lojtarët po vijnë në formën e duhur fizike dhe kjo është shumë e rëndësishme. Po ashtu po përshtaten me idetë e trajnerit shumë mirë dhe cilësitë e shumicës prej tyre janë të padiskutueshme. Prandaj unë pres akoma më shumë nga kjo skuadër, ku ky është veç fillimi dhe Vllaznia shikohet që tani që pretendimet e saj i ka shumë serioze dhe shumë të qarta këtë edicion.

E shikon Vllazninë si pretendenten kryesore për titullin kampion, ka ardhur momenti i duhur?

Po, Vllaznia ka disa vite që është në vorbullën e ekipeve pretendente. I është afruar shumë titullit në këto sezone, por pa mundur ta fitojë. Besoj se tashmë ka ardhur momenti i duhur, drejtuesit kanë formuar një ekip shumë cilësorë e synimi duhet të jete vetëm një. Që është kthimi i titullit në Shkodër pas 25 vitesh, gjithmonë duke ulur euforinë dhe përqendruar në fushën e lojës. Kampionati është shumë i gjatë dhe dinamikat ndryshojnë rrugës, por kjo Vllazni garanton për mua deri në minutën e fundit të edicionit.

Kjo javë e gjen ekipin në një transfertë delikate si ajo ndaj Teutës. Një provë e kalueshme për Vllazninë?

Teuta ka ndryshuar këtë sezon, ka një ekip shumë më të fortë se edicionin e kaluar. Kanë zhvilluar lojëra shumë të mira pavarësisht se s’kanë pasur fat me rezultatet. Pra, janë një kundërshtar që duhet respektuar gjithmonë dhe them se do jetë një përballje e fortë në Durrës. Por, kam një besim që Vllaznia e kalon me sukses këtë provë dhe vijon në rrugën e rezultateve pozitive.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments