Hansi Flick dhe Barcelona do të vazhdojnë së bashku deri në vitin 2027. Në fakt tashmë mungon vetëm firma në kontratë për të shpallur zgjatjen e martesës pas fitores së kampionatit. Presidenti i katalanasve, Joan Laporta ka konfirmuar për RAC1 se ka arritur marrëveshje me trajnerin gjerman.

“Jemi shumë të kënaqur me punën që po bën Hansi, ai arriti të kthejë situatën dhe të rikthejë frymën konkurruese të ekipit. Tashmë kemi folur me drejtorin sportiv Deco, i cili së shpejti do të finalizojë negociatat dhe kështu do të zyrtarizojmë rinovimin e tij. – fjalët e numrit një katalanas – ia atribuoj atij një përqindje shumë të lartë të suksesit të skuadrës, ai ka rigorozitet, disiplinë, forcë mendore dhe një ndjeshmëri të veçantë”.

“I bëri të gjithë të ndiheshin të rëndësishëm dhe ky është çelësi i suksesit sezonal. Edhe ai është i lumtur në këtë klub, po argëtohet dhe po na bën të argëtohemi. Është shumë entuziast për projektin dhe na tha se po përjeton një nga fazat më të mira të karrierës së tij”.

Flick mbërriti në Barcelonë korrikun e kaluar, pas përvojës së tij si trajner i Gjermanisë, dhe në 58 paraqitje për Blaugranat ai arriti 43 fitore dhe vetëm tetë humbje me një mesatare prej 2.34 pikë për ndeshje. E dyta vetëm pas performancës së tij në pankinën e Bayern nga 2019 deri në 2021 (2.53 në 86 ndeshje).