Kapiteni i matjanëve, Florenc Farruku, u gëzohet rezultateve të skuadrës në dy fazat e para dhe shpall objektivin për vendin e tretë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Farruku tregon ambiciet e Burrelit të këtij sezoni, por edhe të tijat, ku synon ta mbyllë edicionin me 15 gola të shënuar. Farruku flet edhe për të ardhmen, pasi ka interes nga disa klube, por për momentin fokusin e ka vetëm te realizimi i objektivave sezonal me Burrelin.

Burreli i mbylli dy faza në vend të katërt, si komentoni këtë ecuri?


Deri tani kemi pasur një ecuri shumë të mirë dhe kemi zhvilluar një kampionat që ndoshta nuk e kemi menduar në fillim. Jemi shumë të kënaqur nga ky kampionat, por kemi dhe objektivin e fundit për të arritur, pse jo vendin e tretë në renditje.


Fituat në transfertën e Kukësit dhe shënuat, sa ju gëzon ky sukses?  

E patëm vlerësuar shumë ndeshjen, pavarësisht objektivave dhe pozicionit të dy ekipeve në klasifikim. Diferenca ishte se ne kishim shkuar me të vetmin objektiv, për të marrë tri pikët dhe ia dolëm. Deri tani kam shënuar 10 gola. Jam tepër i lumtur, që arrita një numër dyshifror golash. Objektivi personal ka qenë shënimi i 12 golave në dy faza, çka nuk e arrita. Synoj të përmirësohem duke shënuar deri në fund të këtij kampionati në kuotën e 15 golave të shënuar.


Burreli, në jo pak raste, ka zhgënjyer në fushën e vet duke lënë shumë pikë. Pse ka ndodhur kjo gjë?


Sa i përket ndeshjeve në fushën tonë, jo për t’u justifikuar, por ngërçi i vetëm është se ne futemi vetëm për fitore. Mosarritja e shënimit të golit dhe presioni për të fituar patjetër, ka bërë që ne të rrezikojmë në jo pak raste.


Ndërkohë, në shumë transferta keni marrë pikë, madje edhe keni fituar…


Është krejt e vërtetë kjo, pasi ky ka qenë si të thuash viti i ndeshjeve jashtë, ku ne kemi marrë rezultate pozitive. Si rezultat i fokusimit dhe vlerësimit të çdo skuadre në mënyrën e duhur, Burreli ka arritur të marrë këto rezultate pozitive.

Burime të ndryshme bëjnë me dije se disa skuadra ju kanë në objeksionet e tyre për sezonin e ardhshëm. Si është e vërteta?


Përtej modestisë, jam përpjekur të bëj një kampionat sa më të mirë dhe për t’u vlerësuar. Normalisht, oferta dhe kontakte kam pasur, por nuk dua t’i bëj publike se nuk kanë edhe aq vlerë. Objektivi im është ta mbyll këtë sezon me rezultate sa më të larta me ekipin e Burrelit dhe shënimin e sa më shumë golave. Dua t’i shërbej ekipit sa më shumë, gjë të cilën jam përpjekur ta bëj në çdo ndeshje.


Këtë javë prisni Korabin, si e vlerësoni këtë përballje dhe çfarë prisni prej derbit të prefekturës?


Pavarësisht vendeve që mbajnë ekipet, objektivat janë të ndryshme, me synim fitoren. Korabi kërkon që të largohet nga zona e ftohtë dhe ne të kapim vendin e tretë. Do të jetë një ndeshje e luftuar, pasi dihet që çdo derbi ka veçantin e vet dhe historikisht ka prodhuar ndeshje të bukura. Ne do të futemi në fushë me të vetmin objektiv, fitoren. Me besimin dhe forcën e grupit, Burreli do ia dalë me sukses.