Morgan Sanson nuk e ka harruar përvojën e tij nën drejtimin e Steven Gerrard tek Aston Villa. Në një intervistë për median franceze “Carré”, mesfushori që aktualisht luan për Nice, është rikthyer të tregojë me detaje sezonin e vështirë 2021-2022 në Premier League, të kaluar në antagonizëm të hapur me trajnerin anglez, ish-legjendën e Liverpool-it.

Një rrëfim i kthjellët, por i mbushur me hidhërim. “Me Dean Smith gjërat shkonin mirë, pastaj erdhi Gerrard (në nëntor 2021). Në fillim gjithçka ishte në rregull, – shpjegon Sanson. – Pastaj u preka nga COVID, dy herë. Pas kësaj, pësova një dëmtim në kuadriceps. Pika e kthesës ishte ndeshja kundër Manchester United, më 15 janar 2022, ndeshja ime e parë si titullar pas shumë kohësh.

Trajneri më tha: Morgan, e meriton të jesh në fushë. Luajta një ndeshje të mirë, por në minutën e 70-të bëra një pasim të gabuar, që solli golin e kundërshtarëve. U zëvendësova menjëherë pas kësaj. Plasa nga inati, hodha shishe, godita bidonët…, një katastrofë.

Në fund të ndeshjes, Gerrard më kërkoi sqarime. I thashë se isha i zhgënjyer me veten time, jo nga zëvendësimi, por e kuptova që nuk më besonte. Të nesërmen tentova të qartësoja gjithçka me një bisedë ballë për ballë.

Shkova në zyrën e tij, ia shpjegova gjithçka duke e parë në sy. Ai dukej sikur më kuptonte, ndaj më tha: Je mesfushori më i mirë që kam, të zëvendësova vetëm për atë gabim. U ndjeva mirë, por më pas nuk luajta më për 6 javë. Atëherë kuptova se ato që më tha trajneri ishin vetëm fjalë boshe”.

Sanson u rikthye në fushë vetëm më 26 shkurt, kundër Brighton, por që nga ai moment, marrëdhënia me Gerrard mbeti e ftohtë: “Nga prilli e deri në ardhjen e Unai Emery, në nëntor, nuk kam hyrë më në fushë. Ka qenë vërtet e vështirë”.

Një dëshmi e hidhur nga ish-lojtari i Marseille, që zbulon një tjetër fytyrë të menaxhimit nga Gerrard. Marrëdhënie personale në dukje e mirë, por në praktikë e shoqëruar nga premtime të pambajtura dhe përjashtim i gjatë nga skuadra./telesport/