Fulvio Collovati, ish-kampion bote me Italinë në vitin 1982 dhe ish-lojtar i disa skuadrave të njohura si Milan, Inter dhe Roma ndodhet në Tiranë, ku prej disa ditësh po zhvillohet turneu “Eagle Cup”. Aktualisht, 68-vjecari është në rolin e koordinatorit dhe drejtorit Teknik. Në një intervistë ekskluzive për RTSH, Collovati, fillimisht ka folur për eksperiencën që po kalon në kryeqytetin e Shqipërisë
“Ditët janë të bukura këtu në Tiranë, siç mund ta shihni motin në Shqipëri është i mrekullueshëm. E kam njohur Tiranën, kam qenë përpara 10 vitesh dhe qytetin e njoh, jetën e natës, monumentet, universitetet dhe është një qytet që vazhdon të ndryshojë. Është një vend i ri, përpara së gjithash me shumë të rinj që janë ambiciozë dhe duan të ecin përpara, kjo është pozitive”.
Fulvio Collovati foli më pas për aktivitetin që po zhvillohet në Shtëpinë e Futbollit. 12 skuadra nga e gjithë bota, morën pjesë dhe sipas optikës së ish-kampionit të botës, është një projekt që i jep mundësinë të rinjve në të ardhmen
“Është një projekt për të rinjtë, që Italia nuk po e bën. Më vjen keq t’iu them këtë sepse vij nga Italia, atje kemi 10 apo 15 vjet që flasim për rinovimin e sektorit të rinjve, por kjo nuk po ndodh. Nuk bëhet fjalë vetëm nga pikëpamja futbollistike, por edhe kulturore.
Diçka që nuk po e bëjnë, klubet pothuajse i kanë braktisur sektorët e të rinjve. Fakti është se në klubet e mëdha, si Inter apo Milan luajnë shumë pak të rinj. Ajo se çfarë duam ne të bëjmë këtu në Tiranë është ti japim vlerë futbollistëve të rinj, që ndoshta të kenë një mundësi të luajnë në SERIE A.
Fulvio Collovati në fund foli për Kombëtaren kuqezi, që sipas tij duhet të vazhdojë të rritet:
“Të them të drejtën, njoh shumë shqiptarë, Igli Taren i cili është bërë drejtor sportiv i Milanit, njoh Kristjan Asllanin, e kam parë shumë herë të luajë. Njoh edhe të tjerë futbollistë shqiptarë. E kam parë Kombëtaren tuaj të luajë, është një ekip i mirë që duhet të vazhdojë të rritet.