Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë Federiko Kieza bëhet një çështje brenda botës bardhezi të Juventusit. Drejtuesit, edhe me mbështetjen e trajnerit e kanë vendosur në merkato. “Zonja e Vjetër” do të ishte shumë e lumtur në rast se e shiste lojtarin për 15-20 milionë euro.
Nuk do të jetë aspak e lehtë, me lojtarin që këmbëngul për të qëndruar në nivele të larta dhe me një rrogë të paktën 5 milionë euro. Agjenti i tij, Fali Ramadani prej javësh është duke e propozuar ish-lojtarin e Fiorentinës nëpër Europë. Sipas gazetës “Sport” edhe Barcelona është një prej skuadrave që mund të fitojë shërbimet e lojtarit, me të cilin bisedoi një verë më parë. Një kandidaturë që nuk skarcohet duke parë faktin që katalanasit kanë nevojën për një lojtar krahu.
Në listën e parë të dëshirave të drejtorit sportiv Deko është Niko Uilliams. Drejtori i lindur në Brazil, që gjatë këtyre orëve është duke finalizuar zyrtarizimin e Dani Olmos nga Lajpcigu, duhet t’i bëjë llogaritë me dëshirën e sulmuesit të Atletikos së Bilbaos. Ai në fakt është i orientuar që të qëndrojë edhe për një sezon me baskët. Kështu mund të hapet një derë reale për Kiezën në Katalonjë.
Lojtari italian gjatë këtyre ditëve ka refuzuar një ofertë të Al Ahli dhe Beshiktashit. 26-vjeçari është duke pritur, pa përjashtuar mundësinë që të largohet edhe një vit më vonë nga Juventusi me parametra zero. Me këtë skenar është Interi që do ta priste krahëhapur lojtarin, por edhe tani mund të vishet zikaltër me ndonjë sforco. Në Itali, përveç Interit ka disa kandidatë.
Kieza i pëlqen Romës, Lacios dhe Napolit. Një shkëmbim me Raspadorin do të ishte i mundshëm. Por përtej faktit se si do të shkojë çështja me Kiezën, Juventusi është duke punuar maksimalisht për t’u rimodeluar nga krahët. Galeno dhe Konseisao nga Porto janë të parët në listë, por pa përjashtuar Niko Gonzalezin, që do të takohet me Fiorentinën.
Duket se pista e Adejemit është zbehur pasi lojtari i ka premtuar dashuri Borusias së Dortmundit. Priten ditë intensive nga bardhezinjtë dhe drejtori Xhuntoli që kërkon t’i japë trajnerit Tiago Mota një skuadër të plotë për të luftuar për titullin kampion.