Lionel Messi shënoi dy gola të mrekullueshëm dhe Luis Suarez gjithashtu hyri në listën e golave teksa Inter Miami mundi Columbus Crew 3-2 për të fituar MLS Supporters Shield, titulli që i jepet çdo vit skuadrës më të mirë në sezonin e rregullt.
Ky trofe përfaqëson titullin e dytë në historinë e shkurtër të Inter Miami pas Kupës së Ligës të fituar në vitin 2023, disa javë pas ardhjes së Leo Messit, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
Për Messin, ky është trofeu i 46-të në karrierën e tij dhe ai u betonua më tej në listën e futbollistëve më të trofeshëm të të gjitha kohërave përpara Dani Alves me 43, dhe ishte ndeshja e pestë me dy gola në sezonin MLS për Messin, i cili tani ka 17 gola në 17 ndeshje në ligë këtë sezon dhe madje 15 asistime.
Ai humbi 15 nga ndeshjet e Inter Miami MLS në 2024 për shkak të angazhimeve me kombëtaren e Argjentinës ose mungesës dymujore që i nevojitej për t’u rikuperuar nga një kyç i dëmtuar rëndë.
Ky titull garanton gjithashtu avantazhin e Inter Miami në fushë në të gjithë play-offin e MLS, duke përfshirë finalen eventuale.Me dy ndeshje të mbetura në sezonin e rregullt, Inter Miami po ndjek rekordin e MLS për më shumë pikë në një sezon të vetëm, pasi aktualisht ka 68 pikë.Nëse fitojnë të dyja ndeshjet e mbetura, ata do të tejkalojnë rekordin e New England Revolution prej 73 pikësh nga viti 2021. /Telegrafi/