Nga Endri ÇINARI

Dy futbollistë që nuk zbritën për asnjë minutë në miqësoren e parë sezonale të Vllaznisë të zhvilluar ditën e shtunë përballë Vllaznia Elite të Milanos ishin Ardit Krymi dhe Esin Hakaj. Si zëvendës kapiteni i kuqebluve ashtu edhe mbrojtësi i rikthyer së fundmi në Shkodër nuk ishin pjesë e skuadrës. Duke mos qenë të pranishëm as në stolin e 9 herë kampionëve të vendit.

Sipas asaj çfarë mëson gazeta të dy shkodranët janë preferuar të lihen pushim nga ana e stafit mjekësor dhe atij teknik. Kjo pasi të dy lojtarët kanë pasur një mbingarkesë fizike për shkak të përgatitjeve që po zhvillon skuadra gjatë këtyre ditëve.

Dhe në këtë mënyrë që të mos rrezikohet asgjë për gjendjen e tyre fizike është parë e udhës që si Krymi dhe Hakaj të kenë një pushim absolut në një ndeshje të tillë.

Patjetër ata janë bashkuar me seancat stërvitore të zakonshme ditën e hënë nën urdhërat e trajnerit Martini. Me teknikun shkodran që pritet ta angazhojë dyshen në ndeshjen miqësore të së shtunës. Ku Vllaznia do udhëtojë drejt Tuzit për tu përballur me Deçiçin, fituesin e Kupës së Malit të Zi në edicionin 2024-25.(www.shkodrasport.com)