E gjithë bota është njëlloj. Dhe në çdo cep të saj, nuk mungon kurrë një arsye për t’u ankuar për arbitrat! Ndodh në Itali, ndodh në Spanjë — e si të mos ndodhë! Sidomos kur në lojë është një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, fillojnë menjëherë teoritë dhe akuzat. Jo më thjesht ankesa, por një “dënim” i parathënë, një komplot ndërkombëtar që, sipas disave, buron nga simpati apo antipati të kryqëzuara.
Këtë herë në qendër të polemikës është polaku Szymon Marciniak, arbitri i caktuar për ndeshjen e kthimit mes Barcelonës dhe Interit. Në Katalunjë, mediet janë të sigurta: “Marciniak është madridist!”. Kështu e quan gazeta ‘Sport’, ndërsa ‘Mundo Deportivo’ nuk është më pak kritike. Për ta, fakti që ai mund të ketë simpati për Real Madridin do të thotë që është automatikisht kundër Barcelonës… dhe për rrjedhojë, në favor të Interit.
Media katalanase sjell edhe “prova”: një foto me një shall me stemën e Realit; episode të mëparshme që konsiderohen si të dyshimta — një penallti e mohuar për Julian Álvarez në një Atletico-Real, apo një offside i dyshimtë ndaj De Ligt në Real-Bayern. Gjithçka shihet si provë që ky arbitër është pjesë e një komploti të madh kundër Barcelonës. Në Katalunjë, këtë e quajnë “skandal”.
Problemi nuk mbaron me Marciniak… vjen edhe Van Boekel në VAR
Zemërimi katalanas nuk ndalet te kryesori. Në dhomën e VAR-it do të jetë holandezi Pol van Boekel, një emër që tifozët dhe drejtuesit e Barcelonës e mbajnë mend shumë mirë nga sezoni 2022-2023, në ‘San Siro’. Atëherë, në ndeshjen ndaj Interit, arbitri Slavko Vincic anuloi një gol të Pedrit për një prekje të pavullnetshme me dorë nga Ansu Fati, por nuk u thirr në monitor për një penallti të mundshme në minutën e 92-të, kur Dumfries e preku qartë topin me dorë në zonë.
Ish-trajneri i Barcelonës, Xavi, shpërtheu në fund të asaj ndeshjeje:
“Jam i zemëruar. Nuk kuptohet asgjë. Na thanë se Ansu e preku topin me dorë, por golin e bëri një lojtar tjetër. Është një padrejtësi. Arbitri duhet të dalë e të shpjegojë, nuk mund të mbyllim sytë. Nuk mund ta besoj! Fjala e ditës është: indinjatë”.
Pra, ndërsa Barcelona përgatitet për një tjetër betejë vendimtare në Europë, në Katalunjë atmosfera është e mbushur me dyshime dhe nervozizëm. Dhe sërish, në qendër të vëmendjes: arbitrat. Si gjithmonë.