Prej kohësh, trajnerë të ndryshëm dhe lojtarët, ankohen për numrin e lartë të ndeshjeve, të caktuara nga FIFA dhe UEFA.Kalendarët janë ngjeshur dhe futbollistët duket se po përgatiten për një grevë, pasi e shikojnë si zgjidhjen e vetme që zëri i tyre të dëgjohet nga drejtuesit e futbollit.
Në lidhje me këtë, mesfushori i Manchester City-t, Rodri deklaroi se pushimi është shumë i rëndësishëm për lojtarët dhe tha se po shkohet drejt grevës nga futbollistët.
“Mendoj se jemi afër një greve. Nëse vazhdohet kështu, nuk do të kemi zgjidhje tjetër. Është diçka që na shqetëson. Një lojtar mund të luajë në nivel të lartë, me 40-50 ndeshje në sezon, kur kalohen këto numra, është e vështirë për ta mbajtur nivelin fizik. Këtë vit ndoshta do të shkojmë 70 ndeshje. Për mendimin tim janë shumë. Dikush duhet të kujdeset për ne sepse ne jemi personazhet kryesore të këtij, le të themi sporti, apo biznes, si të doni quheni. Jo gjithçka ka të bëjë me paratë apo marketingun. Ka të bëjë me cilësinë. Njerëzit duan të shikojnë futboll të mirë dhe për këtë arsye duhet të pushojmë më shumë.”, deklaroi Rodri.
Në të njëjtën linjë ishte edhe futbollisti i Barcelonës, Jules Kounde.
“Jam dakord me gjithçka që ka thënë Rodri. Kalendari po bëhet më i vështirë çdo vit. Kemi më shumë ndeshje dhe më pak pushime. Ankohemi prej kohësh dhe askush nuk na kushton vëmendje, nuk dëgjohen lojtarët dhe trajnerët. Do të vijë një kohë kur do të duhet të bëjmë grevë, sepse është e vetmja mënyrë që ata të reagojnë. Ne marrim gjithnjë e më shumë rreziqe, ka më shumë lëndime sepse ka më pak pushime. Tani me Kupën e Botës për Klube, ne do të arrijmë rreth 70 ndeshje në sezon, gjë që është çmenduri.”, theksoi Kounde.
Mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal, deklaroi se të gjithë futbollistët kanë të njëjtin mendim, duke thënë se janë ata që vuajnë pasojat.
“Mendoj se çdo futbollist do të thotë të njëjtën gjë. Nuk është vetëm mendimi i Rodrit. Ky është mendimi i të gjithë lojtarëve dhe nuk vazhdohet kështu. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç grevës. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por është diçka që na shqetëson, sepse jemi ne ata që e vuajmë.”, u shpreh Carvajal.