✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Arbitrimi i ndeshjes mes Elbasanit dhe Vllaznisë pritet të përflitet gjatë, pas vendimeve që sipas pamjeve dhe analizave kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final. Gjyqtari kryesor Olsid Ferataj i tregoi Gjinit kartonin e dytë të verdhë në minutën e 27-të, duke e lënë Vllazninë me 10 futbollistë.
Në fakt, faulli u shkaktua nga Bajrami ndaj Tsaguesë, por kartoni i kuq për Gjinin është konsideruar i ekzagjeruar dhe vendim që prishi ekuilibrat e ndeshjes. Në VAR ishte Andi Koçi, i cili sërish nuk ndërhyri për të qartësuar situatën dhe për të identifikuar lojtarin përgjegjës në aksion. Kjo nuk është hera e parë që kjo dyshe arbitrash ngjall polemika në ndeshjet e Vllaznisë.
Tre vite më parë, pikërisht Ferataj në fushë dhe Koçi në VAR, anuluan një gol të rregullt të Aralicës në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Partizanit, episod që shkaktoi reagim të fortë nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Asokohe, klubi shkodran i kërkoi zyrtarisht FSHF-së përjashtimin e dyshes Ferataj–Koçi dhe që ata të mos caktoheshin më në ndeshjet e ekipeve shkodrane.
Megjithatë, mbrëmjen e djeshme ata u rikthyen sërish në një ndeshje të Vllaznisë, duke dhënë vendime që, edhe këtë herë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final. Ironikisht, ashtu si në episodin e golit të Aralicës, edhe këtë herë rolet ishin të njëjta: Ferataj kryesor dhe Koçi në VAR. Dy ndeshje, dy episode vendimtare dhe të njëjtët arbitra. Një rastësi e çuditshme që ka ngritur alarmin në Shkodër dhe ka tensionuar raportet mes klubit dhe Federatës si rrallëherë më parë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”