Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, nuk ka kursyer kritikat ndaj yllit të skuadrës, Mo Salah, pas barazimit 3-3 të Liverpoolit me Leeds United.
Sulmuesi egjiptian kishte kritikuar hapur klubin dhe trajnerin Arne Slot në zonën e përzier, duke thënë se ishte “hedhur nën autobus” dhe se “dikush donte të më bënte fajtorin kryesor”.
Carragher e konsideroi këtë sjellje të Salah si një turp, duke sugjeruar se reagimi i tij ishte i planifikuar me agjentin për të maksimizuar presionin mbi klubin.
“Mendoj se ishte një turp me atë që bëri. Ai e zgjodhi këtë moment pas një rezultati të keq për Liverpoolin për të bërë presion ndaj trajnerit dhe klubit”, deklaroi Carragher.
Ai e akuzoi më tej 33-vjeçarin për egoizëm, duke kujtuar se para ardhjes në Liverpool, Salah ishte konsideruar si një dështim te Chelsea dhe nuk kishte fituar trofe të mëdha me Egjiptin.
Carragher theksoi se pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm dhe 250 golave të shënuar për Liverpoolin, një yll nuk mund të funksionojë pa mbështetjen e shokëve të skuadrës, trajnerit dhe tifozëve.
“Gjithmonë është ‘unë, unë, unë’ me të. Ai duhet të kuptojë se suksesi në futboll nuk varet vetëm nga një individ”, nënvizoi Carragher.
Salah ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2027 dhe së shpejti do t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës. Liverpooli do të përballet me Interin në San Siro në ndeshjen e radhës të Ligës së Kampionëve, ku Salah nuk u ftua. /Telegrafi/