Home Blog Page 3

Prishtina ngec sërish në garën për titullin e Superligës së Kosovës

Kanë përfunduar dy ndeshjet e vlefshme për javën e 16-të në Superligën e Kosovës.

Prishtina ka bërë tjetër gabim në garën për titull kampion teksa është ndalur në barazimin 1-1 nga Ferizaj i vendit të 9-të.

Për klubin nga kryeqyteti është ndeshja e pestë radhazi pa fitore në kampionat me tri humbje dhe dy barazime. Autorët e golave janë Mario Ilievski dhe Jakup Berisha.

Gjilani ka hyrë në seri të mirë të rezultateve duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat. Vendasit mposhtën Llapin me shifrat 3-0, ku golat u shënuan nga Bilali, MevlanAdili (ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Bylisit) dhe Jaroviq.

REZULTATET

PRISHTINA 1-1 FERIZAJ

GJILANI 3-0 LLAPI

Slot mund të shkarkohet, një legjendë e klubit mund të bëhet trajner i përkohshëm i Liverpoolit

Liverpooli po shqyrton mundësinë e rikthimit të legjendës së klubit, Steven Gerrard, në rast të një ndryshimi në trajner, pasi pozicioni i Arne Slot po vlerësohet gjithnjë e më shumë.

Të Kuqtë kanë pasur javë të vështira, duke humbur gjashtë nga nëntë ndeshjet e fundit në Liga Premier. Ndërsa skuadra e Slot u rikthye shkurtimisht me një fitore 2-0 ndaj West Ham, ata u ndalën 1-1 nga Sunderland vetëm 72 orë më vonë. Më pas, Liverpool pësoi një barazim dramatik 3-3 kundër Leeds United, me Ao Tanaka që shënoi golin e barazimit në kohën shtesë, në një pjesë të dytë emocionuese në Elland Road.

Trajneri holandez, Arne Slot mbetet optimist për vazhdimësinë e sezonit. “Ka çdo arsye për të qenë pozitivë,” tha ai për gazetarët.Megjithatë, humbja 4-1 ndaj PSV në shtëpi në Ligën e Kampionëve dhe reagimi kritik i tifozëve ka shtuar presionin mbi trajnerin.

Sipas raportimeve, DaveOCKOP, legjenda e klubit Steven Gerrard konsiderohet si zëvendësues i përkohshëm nëse Slot shkarkohet.

Një rikthim në Anfield do të shënonte kthimin e 45-vjeçarit në shtëpinë ku u ngjit për t’u bërë një nga ikonat më të mëdha të klubit

Gerrard më parë drejtoi Rangers nga 2018 deri në 2021, duke fituar Ligën Premier skoceze në sezonin 2020-21, përpara se të kalonte në Aston Villa dhe Al-Ettifaq. Kohët e fundit ai ishte “shumë afër” rikthimit si trajner i Rangers pas largimit të Russell Martin, por në fund refuzoi rolin.

Liverpool gjithashtu po monitoron Julian Nagelsmann, i cili mund të jetë në dispozicion pas udhëheqjes së skuadrës së tij drejt Kupës së Botës verën e ardhshme.

Bylis dhe Teuta e mbyllin në barazim sfidën mes tyre në ‘Adush Muça’

Bylis dhe Teuta kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Adush Muça”, përfundoi me shifrat e barabarta 1-1.

Golin për miqtë e shënoi Boçi në minutën e 75-të të këtij dueli. Në krahun tjetër, për barazimin mendoi Mustafa, vetëm 6 minuta më vonë, duke rikthyer barashpeshën.

Kështu, Bylis shkon në kuotën e 14 pikëve por mbetet në vendin e 8-të. Në krahun tjetër me 23 pikë, Teuta është përsëri në vendin e katërt.

Bylis 1 – 1 Teuta

(Mustapha ’81/ Boçi ’75)

Një shkodran nominohet si kandidat për Trofeun ‘Talenti i Vitit’

Një nga trofetë më të rëndëishëm që do të jepet në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025” është ai për të vlerësuar “Talentin e Vitit” në kategorinë djem.

Një çmim që vlerëson dhe nderon pasionin dhe dëshirën për të luajtur futboll për të gjithë djemtë e rinj dhe që besojnë se një ditë mund të realizojnë ëndrrat e tyre.

Të nominuar për të fituar këtë trofe janë: Arlind Kurti, mbrojtës i Laçit, Ergis Arifi, mesfushor i Teutës, shkodrani Erald Maksuti, sulmues i Flamurtarit dhe Fabjan Përndreca, mbrojtës i Bylisit.

Fituesi i këtij trofeu do të zbulohet mbrëmjen e 15 dhjetorit në Teatrin e Operas dhe Baletit. Të gjithë shikuesit mund ta ndjekin live spektaklin në Klan Tv duke nisur nga ora 20:00.

Vllaznia nuk ‘fiton’ pa Balajn, golat e sulmuesit një ‘varësi’ për kuqeblutë

✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Prej 3 ndeshjesh rradhazi Bekim Balaj nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës në kampionat. Duke pasur kështu një “thatësirë” në aspektin personal përsa i përket gjetjes së rrjetave kundërshtare. Pavarësisht se aktualisht 34-vjeçari është golashënuesi më i mirë në kampionat me 7 gola deri më tani pas 14 javësh të luajtura. Me ish-sulmuesin e kombëtares që po ndiqet tashmë nga Bakajoko i Egnatias, i cili ka shënuar 5 gola.

Ku garës së fundmi i është bashkuar edhe Dejvi Bregu, me vlonjatin e Dinamos që po ashtu ka shënuar 5 herë këtë sezon. Por, “agjërimi” i Balajt në rradhët e Vllaznisë duket se ka ndikuar direkt tek forma dhe rezultatet e skuadrës kuqeblu së fundmi. Ku në 3 ndeshjet e fundit ku kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshjeje dhe si për koicidencë apo jo në të gjitha këto ndeshje nuk ka gjetur golin Balaj. Me 9 herë kampionët e vendit që e kanë pasur të vështirë të gjejnë golin në portat kundërshtare.

Kështu së fundmi Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim i mërzitshëm në shifrat 0-0 ndaj Vorës, duel i vlefshëm për javën e 14-të të kampionatit. Para këtij dueli shkodranët u mposhtën në shtëpi 0-1 nga Teuta e ndërsa në 3 duelet e fundit në kampionat ku ekipi i Martinit nuk njeh fitore është edhe barazimi 1-1 ndaj Partizanit. Ku goli i shënuar nga kuqeblutë në atë duel mban firmën e Esat Males.

Pra, qartazi shifrat tregojnë se ekipi vuan shumë për të gjetur golin kur Bekim Balaj nuk shënon. Duke treguar kështu një “varësi” ndaj shtatlartit dhe pavarësisht futbollistëve shumë cilësor që ka në përbërje Vllaznia, Balaj ngelet sërish figura kryesore dhe qëndrore e ekipit. Dhe kur ai nuk është në formën e tij, skuadra vuan shumë për të gjetur golat dhe fitoret në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

Barazimi me Vorën, hera e parë me një barazim pa gola për Vllazninë këtë sezon

✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas 14 javëve të kampionatit në Superiore, Vllaznia është ekipi që ka shënuar më shumë gola. Me kuqeblutë që e kanë gjetur rrjetën 19 herë deri më tani, ku po ashtu kanë shënuar plot 10 futbollistë të ndryshëm. Duke treguar se tek shkodranët janë të familjarizuar me shënimin e golave këtë edicion.

Dhe në të gjitha ndeshjet e deri më tanishme të shkodranëve ka pasur gola, si të shënuar apo edhe të pësuar nga ana e tyre, duke përjashtuar takimin e fundit. Kjo pasi duhej të vinte pikërisht ndeshja me Vorën në raundin e 14-të të këtij edicioni që të shënohej ndeshja e parë pa gola për Vllazninë.

Me barazimin 0-0 ndaj debutuesve të Superligës këtë edicion, ndodh për herë të parë për Vllazninë që s’ka asnjë gol në ndeshjet ku shkodranët kanë qenë pjesëmarrës. Qoftë nga vetë kuqeblutë apo kundërshtari, duke treguar kështu që ndeshjet ku kuqeblutë kanë zbritur në fushë kanë pasur çdo herë gola.

Po ashtu ndeshja me Vorën shënon duelin e 3-të këtë edicion ku 9 herë kampionët e vendit nuk arrijnë të shënojnë. Ku më parë kuqeblutë janë ndalur në humbjen 1-0 në javën e 11-të kundër Flamurtarit e po ashtu në humbjen 0-1 ndaj Teutës në javën e 13-të. Teksa në 11 takimet e tjetra të zhvilluara këtë edicion të besuarit e Martinit kanë arritur gjithmonë të shënojnë minimalisht një gol, pavarësisht rezultatit përfundimtar të takimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

Mohamed Salah: E mbani mend kur Kane nuk shënoi për 10 ndeshje?

Mohamed Salah nuk e fshehu pakënaqësinë e tij për lënien në stol për disa ndeshje radhazi nga Arne Slot. Pas barazimit të djeshëm mjaft dramatik, sërish në stol, egjiptiani foli hapur.

“Mbaj mend një herë kur Harry Kane kaloi 10 ndeshje pa shënuar. Njerëzit thjesht thonin ‘hajt se do të shënojë’. Në rastin tim ndodh ndryshe.

Nëse nuk shënoj për disa ndeshje, njerëzit më duan në stol. Më vjen keq, por është e pandershme. Nuk e di, por ndoshta javën tjetër do të luaj ndeshjen time të fundit në Anfield”.

Totalisht i gatshëm, Zhegrova pritet të ketë më shumë minuta ndaj Napolit

Edon Zhegrova po rikthehet në formën e tij më të mirë te Juventusi pas një periudhe të gjatë dëmtimi. Mesfushori kosovar ka vuajtur prej nëntë muajsh nga pubalgjia, e cila e ka penguar të luajë rregullisht që nga mbërritja e tij te klubi italian gjatë verës.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së vazhdueshme të ndeshjeve, Zhegrova ka shfaqur shkëndija të talentit të tij në pak minutat që ka pasur në dispozicion në Ligën e Kampionëve, në Serie A dhe në Kupën e Italisë. Deri tani rekordi i tij nuk përfshin as gola dhe as asiste, por kjo mund të ndryshojë që sonte.

Sipas La Gazzetta dello Sport, pas rikuperimit të plotë fizik, Zhegrova ka arritur nivelin e shokëve të tij të ekipit, duke e bërë atë një opsion të fortë për ndeshjen e sonte kundër Napolit.

Përveç kësaj, ai pritet të jetë i gatshëm edhe për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve ndaj Pafos.

Megjithëse emri i Conceiçao shihet si opsioni më i mundshëm për të qenë titullar, nuk përjashtohet që Zhegrova të marrë më shumë minuta loje sesa ka pasur deri tani, duke pasur parasysh eksperiencën e tij të fundit në Kupën e Italisë kundër Udineses, ku hyri në vend të Yildiz, ndërsa Conceiçao u aktivizua dhjetë minuta më parë në vend të Miretti-t.

Ky rikthim i Zhegrovas mund të sjellë një përforcim të rëndësishëm për Juventusin në një periudhë vendimtare të sezonit, si në Ligë ashtu edhe në Evropë.

Ylli i kampionatit kroat, Arbër Hoxha mesazh tifozëve

Arbër Hoxha ishte njeriu i ndeshjes dje. Dinamo Zagreb barazoi 1 me 1 ndaj Hajduk Split, për këtë u nevojit ndihma e Hoxhës që shënoi në kohën shtesë.

Sulmuesi i Kombëtares është ylli i kampionatit kroat për këtë edicion. Dje ka postuar një mesazh pas barazimit që u duk si fitore.

“Faleminderit për të gjithë suportin tuaj në derbin e sotëm”, ishte mesazhi i sulmuesit të Kombëtares. Hoxha është edhe lojtar i muajit që nga shtatori te Dinamo Zagreb.

Forma fantastike dhe golat e rëndësishëm kanë ndikuar, që të ketë rol të rëndësishëm. Anësori po kalon edicionin më të mirë në Kroaci dhe Dinamo Zagreb kryeson renditjen.

Shifër zhgënjyese, ja sa bileta janë shitur deri tani për derbin Tirana-Partizani

Tirana dhe Partizani do të masin forcat sot në orën 18:00. Derbi do të luhet në stadiumin “Air Albania” dhe interesi i tifozëve deri tani është shfaqur i ulët. “Panorama Sport” mëson se nuk është kaluar numri i 3000 biletave të shitura.

Kështu ekziston mundësia, që të shikohet ndoshta derbi me numrin më të ulët të tifozëve në “Air Albania”.

Fakt mbetet ndërkohë edhe se shumë prej tifozëve shpesh e lënë për në moment të fundit sigurimin e biletës, duke ditur se interesi është i ulët.

Rreth 7 orë kanë mbetur nga fillimi i ndeshjes. Ky derbi e gjen Tiranën në vend të fundit pas 14 javësh, ndërsa numëron 10 pikë më pak se Partizani i vendit të gjashtë.