Mohamed Salah ka akuzuar Liverpool-in se e ka “hedhur nën autobus”, pasi u la jashtë formacionit titullar për të tretën ndeshje radhazi, teksa kampionët barazuan ndaj Leeds-it 3-3. Ai tha se është bërë “kokë turku” për fillimin e dobët të sezonit, duke vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e tij në klub.
“Nuk mund ta besoj… jam ulur në stol për 90 minuta,” tha ‘ylli’ egjiptian. “Herën e tretë rresht në stol, besoj për herë të parë në karrierë. Jam shumë, shumë i zhgënjyer. Kam bërë kaq shumë për këtë klub ndër vite, sidomos sezonin e kaluar. Tani jam në stol dhe nuk e di pse.”
Ai shtoi se ndien sikur “klubi e ka hedhur poshtë”, duke lënë të kuptohet se dikush dëshiron që ai të marrë fajin për çdo gjë, por nuk pranoi të thotë se për kë bëhet fjalë.
Salah, katër herë golashënuesi më i mirë i Premier League dhe lojtari i vitit sezonin e kaluar, dha sinjale të forta se ndeshja e ardhshme në Anfield ndaj Brighton mund të jetë e fundit për të. Ai pritet t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës dhe nënkuptoi se mund të largohet në merkaton e janarit.
“E kam thënë shumë herë më parë se kam pasur marrëdhënie të mirë me trajnerin dhe, papritur, nuk kemi më asnjë marrëdhënie,” – tha Salah pas barazimit 3-3 në ‘Elland Road’. “Nuk e di pse, por më duket sikur dikush nuk më do më në klub.”
Ai tregoi se i kishte thënë nënës së tij të vinte në ndeshjen ndaj Brighton-it, pasi mund të jetë momenti i tij i fundit në Anfield: “Në mendjen time do të eci dhe do të shijoj ndeshjen, sepse nuk e di çfarë do të ndodhë më pas.”
I pyetur nëse ky do të jetë takimi i fundit si lojtar i Liverpool-it, ai u përgjigj: “Në futboll kurrë nuk i dihet. Nuk e pranoj këtë situatë. Kam bërë shumë për këtë klub.”
Salah këtë sezon ka shënuar vetëm katër gola në Premier League dhe është kritikuar për mungesë impenjimi në mbrojtje, ndërsa Liverpool-i ka vuajtur në mbrojtjen e titullit. Ai shprehu dhimbje të madhe që klubi nuk e ka mbështetur, sidomos pasi nënshkroi rinovimin dyvjeçar në pranverë.
“Mora shumë premtime dhe, për momentin, jam tri ndeshje rresht në stol. Kjo nuk është e pranueshme për mua. Sikur në klub po thonë: ‘Hidhni Mo-n poshtë, ai është problemi.’ Por unë nuk mendoj se jam problemi. Kam bërë kaq shumë për këtë klub.”
Ai tha se nuk ka pse të “luftojë çdo ditë për pozicionin” sepse e ka fituar me meritë. Gjithashtu u shpreh se ndihet i braktisur nga mbrojtja mediatike që, sipas tij, lojtarë të tjerë e marrin automatikisht, duke përmendur shembullin e Harry Kane.
Për interesimin e vazhdueshëm nga Arabia Saudite ai nuk dha përgjigje të qartë: “Nuk dua të flas për këtë, sepse klubi mund të më shtyjë në drejtim tjetër.”
I pyetur nëse ishte penduar për rinovimin, tha: “Ka dhimbje që e dëgjoj këtë pyetje. Nuk do të pendohesha kurrë që firmosa për këtë klub. Mendoja se do të përfundoja karrierën këtu, por gjërat nuk po shkojnë sipas planit.”
Ai e mbylli me fjalë të forta: “Jam shumë i fortë fizikisht dhe vetëm pesë muaj më parë fitova çdo çmim individual. Pse duhet të përfundojë kështu?”