Home Blog Page 3

Ernest Muçi në superformë, sulmuesi shqiptar protagonist në fitoren e Trabzonsporit

Sulmuesi i Kombëtares, Ernest Muçi nuk ndalet. Ai ka realizuar dopietë në transfertën e Goztepe.

Në minutën e 46’, ai mori topin dhe tundi rrjetën e Goztepe duke e mos e falur portierin.  (VIDEO) Në të 76′ ai dyfishoi shifrat për skuadrën e tij Trabzonspor.

Rikujtojmë që Muçi është rikthyer në një formë fantastike teksa shënon në 3 ndeshje radhazi. Në këto 3 sfida, ai ka tundur rrjetën 5 herë.

Nuhiu: Po presim merkaton, na duhen përforcime

Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiu, ka theksuar se vështirësia e bardhebluve është rritur nga fakti se ekipi po nis ndeshjet duke pësuar gol shumë shpejt, siç ndodhi në derbin e humbur 0-2 përballë Partizanit.

“Janë disa ndeshje që po i nisim 1-0 , ndoshta edhe në formë aksidentale po na vijnë golat dhe më vjen keq edhe për futbollistët sepse jemi në aspektin psikologjik të rënduar dhe në këtë moment na duhet më së paku të startojmë ndeshjet mirë. Në pjesën e parë besova shumë se skuadra po kërkonte qarkullimin e topit, dilnim mirë nga zona e parë dhe e dytë. Por në fazën finale na mungonte krijimtari për të shkuar te goli. Në pjesën e dytë besova e shpresova shumë që do jemi më mirë por nuk na lejoi kundërshtari se mori kontrollin. Goli i dytë efektivisht e mbylli ndeshjen, edhe pse i kërkova djemve të mos dorëzohen, sepse e dimë që në ndeshje të tilla një gol të kthen. Pozitive ishte pjesa e tifozëve që na mbështetën, i falënderoj dhe u kërkoj ndjesë njëkohësisht për këtë humbje.

Realisht, po na ndodh thuajse në çdo ndeshje, po pësojmë gol të lehtë, jo se po na krijon kundërshtari. Mundohemi t’i sjellim skuadrës sa më shumë informacione me analiza, por golat po na vijnë në mënyrë aksidentale. E dinim që në derbi goditësh, aq më shumë në momentin kur pëson gol, por mënyra se si po lëviznin futbollistët, më dha shumë shpresa që mund të barazonim ndeshjen. Biles kishim besim që mund ta kthenim komplet. Normalisht në pjesën e dytë tentuam të ishim më lart dhe erdhi kundërsulmi ku u mbyll takimi.

Po mundohemi të punojmë, na kanë vështirësuar edhe më tepër mendoj ndeshjet çdo tre ditë, se nuk e shoh mirë as gjendjen fizike. Edhe disa dëmtime si Soler që ka qenë vetëm dy ditë me skuadrën. Po e shoh që po lodhet skuadra, ndoshta për atë arsye në pjesë të dytë nuk prodhuam më shumë, provuam me shumë sulmues. Por prapë nuk na shërbeu, na ngelet të analizojmë, punojmë e shohim përpara ndeshjet që kanë mbetur, të mundohemi të marrim pikë dhe të mos shkëputemi.

E theksova që na mungoi krijimtaria në zonën e fundit, kishim përgatitur daljen edhe më shpesh djathtas. Por u orientua skuadra majtas dhe na funksionoi, nga e djathta jo mirë. Edhe në momentin kur çonim topin te Tabeku, mundohej ta zgjidhte vetë. Na mungon pasimi final për të shërbyer sulmuesit.

U besojmë më shumë krosimeve të Haxhiut, se mendoj se është më efikas kur hapet në krah. Mënyra se si lëvizi Partizani, që u fut Ismajli mes qendërmbrojtësve, jo rastësisht futa Mehmetin, që të gjenim krosime, por edhe se në pjesën e dytë kishte vështirësi për të marrë topin.

Besoj, jo rastësisht theksova që duhet të mobilizohemi këto tre ndeshje që të marrim pikë, pastaj na vjen faza e pushimit, shumë pak, por padiskutim do bëjmë analizë më të thellë. E dimë që merkato e janarit është më e varfër, do mundohemi të ruajmë grupin por të shtojmë disa koka të ndihmojnë skuadrën. Mendoj se ka shumë ndeshje dhe nëse gjejmë koka të qëlluara, të jenë cilësorë ata që shtojmë, besojmë te puna a mënyra si duhet të luajmë e të nxjerrim nga kjo situatë Tiranën.

Merkato? Kemi nevojë edhe në fazën sulmues apo edhe mesfushë. Duhet të shtojmë forca në pjesën sulmuese, që të jemi më krijues, ajo që na mungoi sot, t’ia shtojmë këtë skuadrës. Kam besim të plotë që do të gjejmë rrugën”, tha Nuhiu për RTSH pas ndeshjes.

Kërnaja: Të kapim Final 4 për të shkuar te titulli

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli pas triumfit 2 me 0, të arritur në derbin ndaj Tiranës. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas sfidës për mikrofonin e “RTSH”, tekniku i të kuqve, ndër të tjera deklaroi:

“Ne e kishim përgatitur në këtë mënyrë, kam lojtarë që mund të ndërrojmë sisteme pa bërë zëvendësime. I dinim pikat e forta dhe të dobëta të Tiranës, të le të luash futboll, nuk është agresive. Golin e parë e kishim menduar jashtëzakonisht shumë, kishte probleme Tirana në goditje standarte, e studiuam me Dinamon. Kjo ishte fale gjithë grupit, kjo fitore shkon për presidencen, tifozët dhe për të gjithë familjen e kuqe.

Rastet i kishim për 3 me 0 me Diegon, me Gudjufin. Rëndësi ka fitore, donim 3 me 0 për hakmarrjen, por rëndësi ka qe mbaroi 2 me 0.

Nuk u surprizuam nga Tirana, këtë mënyrë loje ka bërë edhe në ndeshjet e fundit. Ne e zgjidhëm me Tomën që do të bënte presing Dembelesë ose Metës. Edhe me Egnatian edhe me Flamurtarin ka pasur të njëjtën manovër. Nuk ka rëndësi për emrat, rëndësi ka rreshtimi dhe manovra.

Hjuman e bënë shumë mirë si 6 dhe 8. Do ti kapnim në një moment në tranzcionon. Dihet shpejtësi dhe eksperienca e Skukës, arritëm ti shfrytëzonim. Kemi 4 pikë më pak seç meritonim. Sot do ishim 2 pikë më lartë Final 4.

Kemi pësuar 1 autogol me Dinamon, një gol nga goditja standarte me Teutën. Jemi munduar të sistemojmë pjesën mbrapa, falë të gjithë çunave, pastaj pame pjesën përpara, avash avash do vinin dhe golat.

Është rregulluar gjithë skuadra në fazën mbrapa, jemi agresivë, dublojmë njëri-tjetrin. Dhomat e zhveshjes u fituan duke thënë realitetin, kush vrapon luan, kush lufton luan. Meritokracia dhe konkurrenca e pastër të çojnë përpara.

Të kapim Final 4 për të shkuar te titulli. Mos harrojmë ku ishim, janë marrë shumë pikë falë këtyre çunave. Dhimbja e kokës më e mirë për trajnerin është të kemi vështirësi në zgjedhje. Në stërvitje punojmë shumë”, u shpreh Kërnaja.

Partizani fiton pa as më të voglën vështirësi ndaj Tiranës

Derbi i kryeqytetit kthehet t’i buzëqeshë përsëri Partizanit, për herë të parë që nga viti 2024. Por ajo që është më e rëndësishme, fundos përsëri Tiranë e cila duket se është futur në një rrugë pa kthim drejt Kategorisë së Parë.

Dueli mes dy rivalëve të kryeqytetit praktikisht zgjati vetëm 7 minuta, aq sa iu desh Hjumën për të gjetur rrjetën me gjuajtjen e parë në portë të të kuqve. Kjo, pasi Partizani u pozicionua qetësisht në pritje të momentit të duhur për të goditur përsëri, ndërsa Tirana ishte e pafuqishme të reagonte për të rrezikuar portën e Qirkos.

Tabloja nuk ndryshoi as pas zëvendësimeve në pjesën e dytë, ndërsa falë një të sapofuturi në fushë, Skukës, Partizani gjeti edhe golin e dytë. Kjo vulosi me lehtësi një fitore në derbi përballë bardhebluve të pafuqishëm për të vendosur në ndonjë moment në vështirësi Qirkon.

Kështu, Partizani afrohet edhe më shumë me zonën e pretendentëve për katërshen e parë, ndërsa Tirana vazhdon të notojë në vendet e fundit të tabelës, nga ku duket e vështirë të lëvizë nëse vazhdon paraqitjet si në këtë derbi.

TIRANA-PARTIZANI 0-2

7′ Hjumën, 66′ Skuka

Shpërthen Mohamed Salah: Më kanë bërë ‘kokë turku’, më duket se s’më duan në këtë klub

Mohamed Salah ka akuzuar Liverpool-in se e ka “hedhur nën autobus”, pasi u la jashtë formacionit titullar për të tretën ndeshje radhazi, teksa kampionët barazuan ndaj Leeds-it 3-3. Ai tha se është bërë “kokë turku” për fillimin e dobët të sezonit, duke vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e tij në klub.

“Nuk mund ta besoj… jam ulur në stol për 90 minuta,” tha ‘ylli’ egjiptian. “Herën e tretë rresht në stol, besoj për herë të parë në karrierë. Jam shumë, shumë i zhgënjyer. Kam bërë kaq shumë për këtë klub ndër vite, sidomos sezonin e kaluar. Tani jam në stol dhe nuk e di pse.”

Ai shtoi se ndien sikur “klubi e ka hedhur poshtë”, duke lënë të kuptohet se dikush dëshiron që ai të marrë fajin për çdo gjë, por nuk pranoi të thotë se për kë bëhet fjalë.

Salah, katër herë golashënuesi më i mirë i Premier League dhe lojtari i vitit sezonin e kaluar, dha sinjale të forta se ndeshja e ardhshme në Anfield ndaj Brighton mund të jetë e fundit për të. Ai pritet t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës dhe nënkuptoi se mund të largohet në merkaton e janarit.

“E kam thënë shumë herë më parë se kam pasur marrëdhënie të mirë me trajnerin dhe, papritur, nuk kemi më asnjë marrëdhënie,” – tha Salah pas barazimit 3-3 në ‘Elland Road’. “Nuk e di pse, por më duket sikur dikush nuk më do më në klub.”

Ai tregoi se i kishte thënë nënës së tij të vinte në ndeshjen ndaj Brighton-it, pasi mund të jetë momenti i tij i fundit në Anfield: “Në mendjen time do të eci dhe do të shijoj ndeshjen, sepse nuk e di çfarë do të ndodhë më pas.”

I pyetur nëse ky do të jetë takimi i fundit si lojtar i Liverpool-it, ai u përgjigj: “Në futboll kurrë nuk i dihet. Nuk e pranoj këtë situatë. Kam bërë shumë për këtë klub.”

Salah këtë sezon ka shënuar vetëm katër gola në Premier League dhe është kritikuar për mungesë impenjimi në mbrojtje, ndërsa Liverpool-i ka vuajtur në mbrojtjen e titullit. Ai shprehu dhimbje të madhe që klubi nuk e ka mbështetur, sidomos pasi nënshkroi rinovimin dyvjeçar në pranverë.

“Mora shumë premtime dhe, për momentin, jam tri ndeshje rresht në stol. Kjo nuk është e pranueshme për mua. Sikur në klub po thonë: ‘Hidhni Mo-n poshtë, ai është problemi.’ Por unë nuk mendoj se jam problemi. Kam bërë kaq shumë për këtë klub.”

Ai tha se nuk ka pse të “luftojë çdo ditë për pozicionin” sepse e ka fituar me meritë. Gjithashtu u shpreh se ndihet i braktisur nga mbrojtja mediatike që, sipas tij, lojtarë të tjerë e marrin automatikisht, duke përmendur shembullin e Harry Kane.

Për interesimin e vazhdueshëm nga Arabia Saudite ai nuk dha përgjigje të qartë: “Nuk dua të flas për këtë, sepse klubi mund të më shtyjë në drejtim tjetër.”

I pyetur nëse ishte penduar për rinovimin, tha: “Ka dhimbje që e dëgjoj këtë pyetje. Nuk do të pendohesha kurrë që firmosa për këtë klub. Mendoja se do të përfundoja karrierën këtu, por gjërat nuk po shkojnë sipas planit.”

Ai e mbylli me fjalë të forta: “Jam shumë i fortë fizikisht dhe vetëm pesë muaj më parë fitova çdo çmim individual. Pse duhet të përfundojë kështu?”

Real Madrid vendos të rinovojë me Antonio Rüdiger, konsiderohet më i mirë se shumica e opsioneve në merkato

Real Madrid ka marrë vendimin për të rinovuar kontratën e Antonio Rüdiger-it, raportoi Onda Cero të dielën. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e “Los Blancos” besojnë se mbrojtësi gjerman është më i mirë se shumica e alternativave të mundshme në merkato.

Në javët e fundit, madrilenët janë lidhur me disa emra të njohur në qendër të mbrojtjes, por duket se vendimi i tyre është të vazhdojnë me Rüdiger dhe vetëm pas kësaj të analizojnë opsione të tjera për të ardhmen.

Vetë Rüdiger thuhet se dëshiron një marrëveshje të re dyvjeçare, por gjasat janë të vogla që Real Madrid t’i ofrojë një kontratë aq të gjatë. Për momentin, klubi është duke shqyrtuar mundësinë e një rinovimi njëvjeçar për qendërmbrojtësin e fuqishëm gjerman.

Rüdiger, i cili ka qenë një ndër lojtarët më të qëndrueshëm të Real Madridit, shihet si një garanci e sigurt në repartin defensiv dhe klubi preferon të mbajë stabilitetin në mbrojtje në vend që të rrezikojë me afrime të reja që nuk kanë të njëjtin nivel sigurie.

Kaos te Liverpuli, Salah mban peng… kthimin e Kiezës në Itali

Liverpuli është si një fuçi me barut që po bëhet gati të shpërthejë pasi Mohamed Salah “ndezi fitilin” me intervistën pas barazimit 3-3 ndaj Lids në kampionat. Egjiptiani foli hapur duke thënë se po mundoheshin që t’ia vinin atij fajin për gjithçka dhe po e sakrifikonin, pasi nuk e donin më në klub.

Ndërkohë, ai nuk u kursye as ndaj Arne Slot, i cili është gjithnjë e më shumë nën morinë e kritikave pasi ekipi i tij ka humbur thuajse gjithçka nga ajo që kishte në sezonin e kaluar kur fitoi Premier Ligën.

Një situatë kaotike, ku nuk dihet se kush do të largohet më parë, egjiptiani apo trajneri holandez me italianin Federiko Kieza që është një “viktimë” në mes. AI duket sikur është kthyer në formë më të mirë se sa në sezonin e kaluar, por nuk po gjen hapësirat që kërkonte te Liverpuli.

Kësisoj, në javët e fundit emri i tij ka qarkulluar në klube si Roma e Napoli, të cilat po projektojnë përforcime në janar. Por Kieza tani është “peng” i situatës te Liverpuli, pasi pa u qartësuar gjerat me Salah dhe me Slot, nuk dihet nëse do të lejohet një largim i tij apo jo, duke e mbajtur në vendnumëro italianin.

VOLEJBOLL/ Vllaznia mund edhe Ferizajn, kryeson Ligën ‘Gjergj Kastrioti’

✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Vllaznia në volejboll për meshkuj ka marrë edhe fitoren e dytë rradhazi në ndeshjet e Ligës “Gjergj Kastrioti”. Ditën e sotme, ajo ka fituar me rezultatin 3-2 ndaj ekipit të Ferizajt. Ndeshja është luajtur në sallën sportive “Bill Klinton” të Ferizajt dhe është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive.

Ekipi i Ferizajt vinte në këtë përballje pas fitores dje 3-2 ndaj Partizanit dhe si rrjedhojë sfida bëhej edhe më interesante për kreun e renditjes. Ndeshja nisi më mirë për shkodranët që e fituan setin e parë me shifrat 25-20.

Vendasit ndërkohë fituan të dytin në të njëjtat shifra duke barazuar numrin e seteve, madje Ferizaj do të merrte edhe të tretin me rezultatin 25-22, por Vllaznia nuk heq dorë nga pretendimet e saj dhe fiton të katërtin me shumë lehtësi 25-15 duke barazuar në 2-2 numrin e seteve.

Seti final do të ketë barazpeshë, por kuqeblutë do të tregoheshin më efikasë në fund duke fituar 15-13 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.

Në këtë mënyrë pas ndeshjeve të javës së dytë të Ligës “Gjergj Kastrioti”, Vllaznia e trajnerit Artan Kalaja ka 5 pikë dhe kryeson renditjen e grupit A, duke lënë Partizanin me 4 pikë në vendin e dytë dhe Ferizajn me 3 pikë në vendin e tretë. Ndeshjen e fundit në grup, ekipi shkodran do ta ketë përballë Partizanit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

KOKSH shpërndan Bursat Olimpike të Los Anxhelos 2028. Edhe 2 shkodranë në listën e 16 sportistëve

Komiteti Olimpik Kombëtar ka shpërndarë Bursat Olimpike të Lojërave Olimpike Los Anxhelos 2028, për 16 sportistë elitarë të 9 disiplinave të ndryshme. Pjesë e kësaj liste janë edhe dy sportistë shkodranë, atleti Franko Burraj dhe peshëngritësi Antonino Mullisi.

Kontratat janë nënshkruar nga Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, i cili në fjalën e tij hapëse ka falenderuar sportistët për arritjet në arenën ndërkombëtare dhe shprehu të gjithë mbështetjen e KOKSH për sportistët dhe trajnerët, në realizimin e misionit të përbashkët për të ngritur sa më lart emrin e Team Albania në Olimpizmin Botëror.

Sportistët i përfitojnë këto bursa përmes solidaritet olimpik, në bazë të rezultateve të tyre, ndërsa një kriter shumë i rëndësishëm është barazia gjinore.

Krahas sportistëve medalistë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, si edhe sportistëve me rezultate të larta botërore dhe europiane, bursa kanë përfituar edhe sportistë të rinj të talentuar, që premtojnë të jenë pjesë e Team Albania në Lojërat Olimpike, Los Anxhelos 2028.

Në ceremoninë e dorëzimit të Bursave Olimpike ishin të pranishëm krahas sportistëve dhe trajnerëve të tyre, edhe Presidentët e Federatave përkatëse.

Prishtina ngec sërish në garën për titullin e Superligës së Kosovës

Kanë përfunduar dy ndeshjet e vlefshme për javën e 16-të në Superligën e Kosovës.

Prishtina ka bërë tjetër gabim në garën për titull kampion teksa është ndalur në barazimin 1-1 nga Ferizaj i vendit të 9-të.

Për klubin nga kryeqyteti është ndeshja e pestë radhazi pa fitore në kampionat me tri humbje dhe dy barazime. Autorët e golave janë Mario Ilievski dhe Jakup Berisha.

Gjilani ka hyrë në seri të mirë të rezultateve duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat. Vendasit mposhtën Llapin me shifrat 3-0, ku golat u shënuan nga Bilali, MevlanAdili (ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Bylisit) dhe Jaroviq.

REZULTATET

PRISHTINA 1-1 FERIZAJ

GJILANI 3-0 LLAPI