Home Blog Page 3

Real Madrid vendos të rinovojë me Antonio Rüdiger, konsiderohet më i mirë se shumica e opsioneve në merkato

Real Madrid ka marrë vendimin për të rinovuar kontratën e Antonio Rüdiger-it, raportoi Onda Cero të dielën. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e “Los Blancos” besojnë se mbrojtësi gjerman është më i mirë se shumica e alternativave të mundshme në merkato.

Në javët e fundit, madrilenët janë lidhur me disa emra të njohur në qendër të mbrojtjes, por duket se vendimi i tyre është të vazhdojnë me Rüdiger dhe vetëm pas kësaj të analizojnë opsione të tjera për të ardhmen.

Vetë Rüdiger thuhet se dëshiron një marrëveshje të re dyvjeçare, por gjasat janë të vogla që Real Madrid t’i ofrojë një kontratë aq të gjatë. Për momentin, klubi është duke shqyrtuar mundësinë e një rinovimi njëvjeçar për qendërmbrojtësin e fuqishëm gjerman.

Rüdiger, i cili ka qenë një ndër lojtarët më të qëndrueshëm të Real Madridit, shihet si një garanci e sigurt në repartin defensiv dhe klubi preferon të mbajë stabilitetin në mbrojtje në vend që të rrezikojë me afrime të reja që nuk kanë të njëjtin nivel sigurie.

Kaos te Liverpuli, Salah mban peng… kthimin e Kiezës në Itali

Liverpuli është si një fuçi me barut që po bëhet gati të shpërthejë pasi Mohamed Salah “ndezi fitilin” me intervistën pas barazimit 3-3 ndaj Lids në kampionat. Egjiptiani foli hapur duke thënë se po mundoheshin që t’ia vinin atij fajin për gjithçka dhe po e sakrifikonin, pasi nuk e donin më në klub.

Ndërkohë, ai nuk u kursye as ndaj Arne Slot, i cili është gjithnjë e më shumë nën morinë e kritikave pasi ekipi i tij ka humbur thuajse gjithçka nga ajo që kishte në sezonin e kaluar kur fitoi Premier Ligën.

Një situatë kaotike, ku nuk dihet se kush do të largohet më parë, egjiptiani apo trajneri holandez me italianin Federiko Kieza që është një “viktimë” në mes. AI duket sikur është kthyer në formë më të mirë se sa në sezonin e kaluar, por nuk po gjen hapësirat që kërkonte te Liverpuli.

Kësisoj, në javët e fundit emri i tij ka qarkulluar në klube si Roma e Napoli, të cilat po projektojnë përforcime në janar. Por Kieza tani është “peng” i situatës te Liverpuli, pasi pa u qartësuar gjerat me Salah dhe me Slot, nuk dihet nëse do të lejohet një largim i tij apo jo, duke e mbajtur në vendnumëro italianin.

VOLEJBOLL/ Vllaznia mund edhe Ferizajn, kryeson Ligën ‘Gjergj Kastrioti’

✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Vllaznia në volejboll për meshkuj ka marrë edhe fitoren e dytë rradhazi në ndeshjet e Ligës “Gjergj Kastrioti”. Ditën e sotme, ajo ka fituar me rezultatin 3-2 ndaj ekipit të Ferizajt. Ndeshja është luajtur në sallën sportive “Bill Klinton” të Ferizajt dhe është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive.

Ekipi i Ferizajt vinte në këtë përballje pas fitores dje 3-2 ndaj Partizanit dhe si rrjedhojë sfida bëhej edhe më interesante për kreun e renditjes. Ndeshja nisi më mirë për shkodranët që e fituan setin e parë me shifrat 25-20.

Vendasit ndërkohë fituan të dytin në të njëjtat shifra duke barazuar numrin e seteve, madje Ferizaj do të merrte edhe të tretin me rezultatin 25-22, por Vllaznia nuk heq dorë nga pretendimet e saj dhe fiton të katërtin me shumë lehtësi 25-15 duke barazuar në 2-2 numrin e seteve.

Seti final do të ketë barazpeshë, por kuqeblutë do të tregoheshin më efikasë në fund duke fituar 15-13 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.

Në këtë mënyrë pas ndeshjeve të javës së dytë të Ligës “Gjergj Kastrioti”, Vllaznia e trajnerit Artan Kalaja ka 5 pikë dhe kryeson renditjen e grupit A, duke lënë Partizanin me 4 pikë në vendin e dytë dhe Ferizajn me 3 pikë në vendin e tretë. Ndeshjen e fundit në grup, ekipi shkodran do ta ketë përballë Partizanit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

KOKSH shpërndan Bursat Olimpike të Los Anxhelos 2028. Edhe 2 shkodranë në listën e 16 sportistëve

Komiteti Olimpik Kombëtar ka shpërndarë Bursat Olimpike të Lojërave Olimpike Los Anxhelos 2028, për 16 sportistë elitarë të 9 disiplinave të ndryshme. Pjesë e kësaj liste janë edhe dy sportistë shkodranë, atleti Franko Burraj dhe peshëngritësi Antonino Mullisi.

Kontratat janë nënshkruar nga Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, i cili në fjalën e tij hapëse ka falenderuar sportistët për arritjet në arenën ndërkombëtare dhe shprehu të gjithë mbështetjen e KOKSH për sportistët dhe trajnerët, në realizimin e misionit të përbashkët për të ngritur sa më lart emrin e Team Albania në Olimpizmin Botëror.

Sportistët i përfitojnë këto bursa përmes solidaritet olimpik, në bazë të rezultateve të tyre, ndërsa një kriter shumë i rëndësishëm është barazia gjinore.

Krahas sportistëve medalistë, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, si edhe sportistëve me rezultate të larta botërore dhe europiane, bursa kanë përfituar edhe sportistë të rinj të talentuar, që premtojnë të jenë pjesë e Team Albania në Lojërat Olimpike, Los Anxhelos 2028.

Në ceremoninë e dorëzimit të Bursave Olimpike ishin të pranishëm krahas sportistëve dhe trajnerëve të tyre, edhe Presidentët e Federatave përkatëse.

Prishtina ngec sërish në garën për titullin e Superligës së Kosovës

Kanë përfunduar dy ndeshjet e vlefshme për javën e 16-të në Superligën e Kosovës.

Prishtina ka bërë tjetër gabim në garën për titull kampion teksa është ndalur në barazimin 1-1 nga Ferizaj i vendit të 9-të.

Për klubin nga kryeqyteti është ndeshja e pestë radhazi pa fitore në kampionat me tri humbje dhe dy barazime. Autorët e golave janë Mario Ilievski dhe Jakup Berisha.

Gjilani ka hyrë në seri të mirë të rezultateve duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat. Vendasit mposhtën Llapin me shifrat 3-0, ku golat u shënuan nga Bilali, MevlanAdili (ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Bylisit) dhe Jaroviq.

REZULTATET

PRISHTINA 1-1 FERIZAJ

GJILANI 3-0 LLAPI

Slot mund të shkarkohet, një legjendë e klubit mund të bëhet trajner i përkohshëm i Liverpoolit

Liverpooli po shqyrton mundësinë e rikthimit të legjendës së klubit, Steven Gerrard, në rast të një ndryshimi në trajner, pasi pozicioni i Arne Slot po vlerësohet gjithnjë e më shumë.

Të Kuqtë kanë pasur javë të vështira, duke humbur gjashtë nga nëntë ndeshjet e fundit në Liga Premier. Ndërsa skuadra e Slot u rikthye shkurtimisht me një fitore 2-0 ndaj West Ham, ata u ndalën 1-1 nga Sunderland vetëm 72 orë më vonë. Më pas, Liverpool pësoi një barazim dramatik 3-3 kundër Leeds United, me Ao Tanaka që shënoi golin e barazimit në kohën shtesë, në një pjesë të dytë emocionuese në Elland Road.

Trajneri holandez, Arne Slot mbetet optimist për vazhdimësinë e sezonit. “Ka çdo arsye për të qenë pozitivë,” tha ai për gazetarët.Megjithatë, humbja 4-1 ndaj PSV në shtëpi në Ligën e Kampionëve dhe reagimi kritik i tifozëve ka shtuar presionin mbi trajnerin.

Sipas raportimeve, DaveOCKOP, legjenda e klubit Steven Gerrard konsiderohet si zëvendësues i përkohshëm nëse Slot shkarkohet.

Një rikthim në Anfield do të shënonte kthimin e 45-vjeçarit në shtëpinë ku u ngjit për t’u bërë një nga ikonat më të mëdha të klubit

Gerrard më parë drejtoi Rangers nga 2018 deri në 2021, duke fituar Ligën Premier skoceze në sezonin 2020-21, përpara se të kalonte në Aston Villa dhe Al-Ettifaq. Kohët e fundit ai ishte “shumë afër” rikthimit si trajner i Rangers pas largimit të Russell Martin, por në fund refuzoi rolin.

Liverpool gjithashtu po monitoron Julian Nagelsmann, i cili mund të jetë në dispozicion pas udhëheqjes së skuadrës së tij drejt Kupës së Botës verën e ardhshme.

Bylis dhe Teuta e mbyllin në barazim sfidën mes tyre në ‘Adush Muça’

Bylis dhe Teuta kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Adush Muça”, përfundoi me shifrat e barabarta 1-1.

Golin për miqtë e shënoi Boçi në minutën e 75-të të këtij dueli. Në krahun tjetër, për barazimin mendoi Mustafa, vetëm 6 minuta më vonë, duke rikthyer barashpeshën.

Kështu, Bylis shkon në kuotën e 14 pikëve por mbetet në vendin e 8-të. Në krahun tjetër me 23 pikë, Teuta është përsëri në vendin e katërt.

Bylis 1 – 1 Teuta

(Mustapha ’81/ Boçi ’75)

Një shkodran nominohet si kandidat për Trofeun ‘Talenti i Vitit’

Një nga trofetë më të rëndëishëm që do të jepet në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025” është ai për të vlerësuar “Talentin e Vitit” në kategorinë djem.

Një çmim që vlerëson dhe nderon pasionin dhe dëshirën për të luajtur futboll për të gjithë djemtë e rinj dhe që besojnë se një ditë mund të realizojnë ëndrrat e tyre.

Të nominuar për të fituar këtë trofe janë: Arlind Kurti, mbrojtës i Laçit, Ergis Arifi, mesfushor i Teutës, shkodrani Erald Maksuti, sulmues i Flamurtarit dhe Fabjan Përndreca, mbrojtës i Bylisit.

Fituesi i këtij trofeu do të zbulohet mbrëmjen e 15 dhjetorit në Teatrin e Operas dhe Baletit. Të gjithë shikuesit mund ta ndjekin live spektaklin në Klan Tv duke nisur nga ora 20:00.

Vllaznia nuk ‘fiton’ pa Balajn, golat e sulmuesit një ‘varësi’ për kuqeblutë

✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Prej 3 ndeshjesh rradhazi Bekim Balaj nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës në kampionat. Duke pasur kështu një “thatësirë” në aspektin personal përsa i përket gjetjes së rrjetave kundërshtare. Pavarësisht se aktualisht 34-vjeçari është golashënuesi më i mirë në kampionat me 7 gola deri më tani pas 14 javësh të luajtura. Me ish-sulmuesin e kombëtares që po ndiqet tashmë nga Bakajoko i Egnatias, i cili ka shënuar 5 gola.

Ku garës së fundmi i është bashkuar edhe Dejvi Bregu, me vlonjatin e Dinamos që po ashtu ka shënuar 5 herë këtë sezon. Por, “agjërimi” i Balajt në rradhët e Vllaznisë duket se ka ndikuar direkt tek forma dhe rezultatet e skuadrës kuqeblu së fundmi. Ku në 3 ndeshjet e fundit ku kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ndeshjeje dhe si për koicidencë apo jo në të gjitha këto ndeshje nuk ka gjetur golin Balaj. Me 9 herë kampionët e vendit që e kanë pasur të vështirë të gjejnë golin në portat kundërshtare.

Kështu së fundmi Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim i mërzitshëm në shifrat 0-0 ndaj Vorës, duel i vlefshëm për javën e 14-të të kampionatit. Para këtij dueli shkodranët u mposhtën në shtëpi 0-1 nga Teuta e ndërsa në 3 duelet e fundit në kampionat ku ekipi i Martinit nuk njeh fitore është edhe barazimi 1-1 ndaj Partizanit. Ku goli i shënuar nga kuqeblutë në atë duel mban firmën e Esat Males.

Pra, qartazi shifrat tregojnë se ekipi vuan shumë për të gjetur golin kur Bekim Balaj nuk shënon. Duke treguar kështu një “varësi” ndaj shtatlartit dhe pavarësisht futbollistëve shumë cilësor që ka në përbërje Vllaznia, Balaj ngelet sërish figura kryesore dhe qëndrore e ekipit. Dhe kur ai nuk është në formën e tij, skuadra vuan shumë për të gjetur golat dhe fitoret në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

Barazimi me Vorën, hera e parë me një barazim pa gola për Vllazninë këtë sezon

✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas 14 javëve të kampionatit në Superiore, Vllaznia është ekipi që ka shënuar më shumë gola. Me kuqeblutë që e kanë gjetur rrjetën 19 herë deri më tani, ku po ashtu kanë shënuar plot 10 futbollistë të ndryshëm. Duke treguar se tek shkodranët janë të familjarizuar me shënimin e golave këtë edicion.

Dhe në të gjitha ndeshjet e deri më tanishme të shkodranëve ka pasur gola, si të shënuar apo edhe të pësuar nga ana e tyre, duke përjashtuar takimin e fundit. Kjo pasi duhej të vinte pikërisht ndeshja me Vorën në raundin e 14-të të këtij edicioni që të shënohej ndeshja e parë pa gola për Vllazninë.

Me barazimin 0-0 ndaj debutuesve të Superligës këtë edicion, ndodh për herë të parë për Vllazninë që s’ka asnjë gol në ndeshjet ku shkodranët kanë qenë pjesëmarrës. Qoftë nga vetë kuqeblutë apo kundërshtari, duke treguar kështu që ndeshjet ku kuqeblutë kanë zbritur në fushë kanë pasur çdo herë gola.

Po ashtu ndeshja me Vorën shënon duelin e 3-të këtë edicion ku 9 herë kampionët e vendit nuk arrijnë të shënojnë. Ku më parë kuqeblutë janë ndalur në humbjen 1-0 në javën e 11-të kundër Flamurtarit e po ashtu në humbjen 0-1 ndaj Teutës në javën e 13-të. Teksa në 11 takimet e tjetra të zhvilluara këtë edicion të besuarit e Martinit kanë arritur gjithmonë të shënojnë minimalisht një gol, pavarësisht rezultatit përfundimtar të takimit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”