Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht humbjes në shifrat 1-0 në miqësore ndaj Deçiçit, te Vllaznia janë totalisht të qetë përsa i përket skuadrës. Kuqeblutë nuk e kanë shikuar aspak si primar rezultatin e një miqësoreje vere, por vetëm nivelin dhe qasjen e ekipit para nisjes së sezonit të ri. Nivel që ka lënë shumë të kënaqur trajnerin Martini, i cili edhe në prononcimin për mediat pas duelit me tuzianët u shpreh me elozhe për 9 herë kampionët e vendit.
Duke theksuar se kjo ishte ajo çfarë dëshironte nga skuadra dhe se futbollistët po vijnë çdo ditë në rritje graduale. E kjo patjetër mbush me optimizëm në kampin shkodran, që tashmë po përgatitet edhe për ndeshjen e Conference League ku synimi kryesor është kalimi i turit të parë përballë letonezëve të Daugavpils.
Gjithashtu edhe elementi i ri ka rënë në sy këto ndeshje të para verore. Ku duhet theksuar se emra si: Ara, Kubazi dhe Hajdari kanë lënë përshtypje pozitive për stafin teknik.
Teksa pa harruar edhe Delajn, Tafilin e Brahimin që janë pjesë e ekipit prej sezonit të shkuar. Megjithatë ende kërkohet përmirësim dhe ngritja e nivelit nga ana e të gjithëve, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pretendentë për një vend titullari në skuadër.(www.shkodrasport.com)